Basha inspekton punimet e asfaltimit në Pleshinë

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka vizituar sot punimet e asfaltimit në fshatin Pleshinë, ku po realizohet segmenti rrugor në drejtim të qytetit.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, punimet do të vazhdojnë pasi KRU Bifurkacioni të përfundojë procedurat për vendosjen e gypit të ri të ujësjellësit, proces që ndodhet në fazën e prokurimit.

Ministria ka bërë të ditur se projekti është hartuar dhe mbikëqyret nga Komuna e Ferizajt, ndërsa financohet me 2 milionë euro nga ministria dhe rreth 900 mijë euro bashkëfinancim nga komuna.

Gjatë vizitës u tha se komuna ende nuk i ka ndarë mjetet e nevojshme për pjesën e saj të financimit. Ministria ritheksoi përkushtimin për realizimin e projektit dhe kërkoi angazhim të njëjtë nga niveli lokal për përfundimin e tij sipas planifikimit.

Basha inspekton rehabilitimin e rrugës së dëmtuar në Slivovë të Ferizajt

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka inspektuar sot punimet për rehabilitimin e segmentit të dëmtuar të rrugës në fshatin Slivovë, duke bërë të ditur se ndërhyrja është përfunduar me sukses.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, dëmtimi i rrugës ishte shkaktuar nga grumbullimi i ujërave në skajin e trupit të rrugës, situatë që kishte rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në trafik dhe kishte shkaktuar dëme në infrastrukturën rrugore.

Pas evidentimit të problemit, ministria ndërmori masat e nevojshme për hartimin e planit të intervenimit dhe realizimin e sanimit emergjent. Punimet kanë përfshirë rehabilitimin e pjesës së dëmtuar dhe asfaltimin e segmentit, duke mundësuar rikthimin e qarkullimit të sigurt dhe normal për qytetarët.

Gjatë vizitës në terren, ministri Basha theksoi se për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme është e nevojshme ndërhyrja e Komuna e Ferizajt në hapjen dhe mirëmbajtjen e kanalit për largimin e ujërave.

Ai nënvizoi se adresimi i shkakut të problemit është përgjegjësi e pushtetit lokal dhe se vetëm përmes koordinimit institucional mund të sigurohen zgjidhje afatgjata për mbrojtjen e infrastrukturës rrugore.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka ritheksuar përkushtimin për të reaguar me kohë në rastet kur rrezikohet infrastruktura rrugore dhe siguria e qytetarëve, duke realizuar ndërhyrjet që janë në kompetencën e saj dhe duke kërkuar bashkëpunimin e institucioneve përgjegjëse për zgjidhje të qëndrueshme.

Go to TOP