Shqiptarët po zhduken nga Ballkani
Nga: Astrit Gashi
As në kohë lufte nuk na mungonin aq shumë sa na mungojnë sot.
Në ditët më të errëta të historisë sonë, nën breshërinë e plumbave, mes flakëve, dëbimit dhe dhunës, ne numëronim të vrarët, varrosnim më të dashurit dhe largoheshim me lot në sy, por kurrë nuk e humbnim besimin se një ditë do të ktheheshim. Lufta na merrte jetë, por nuk na këpuste rrënjët. Shpresa jetonte. Atdheu na priste.
Sot nuk ka tanke në rrugë. Nuk ka sirena lufte. Nuk ka pushtues që na nxjerr me forcë nga shtëpitë. Megjithatë, tragjedia që po përjetojmë është edhe më e rëndë. Populli shqiptar po zbraz trojet e veta në heshtje. Po zhduket pa krisma, pa tym dhe pa zhurmë. Po ikën sepse i është vrarë shpresa.
Sot na mungojnë më shumë shqiptarë sesa në ditët më të rënda të luftës.
Dikur iknim për të shpëtuar jetën. Sot ikim sepse nuk shohim më të ardhme. Ikim sepse puna nuk fitohet me meritë, por me parti. Sepse korrupsioni ka zëvendësuar drejtësinë, nepotizmi ka zëvendësuar mundësinë dhe zhgënjimi ka zëvendësuar ëndrrën.
Kjo ikje nuk është emigrim. Kjo është shpërngulja më e madhe kombëtare në historinë moderne shqiptare.
Në Kosovë, vendi që u çlirua me gjakun e mijëra dëshmorëve, ku liria duhej të sillte mirëqenie dhe shpresë, sot jetojnë rreth 1.58 milionë banorë. Mbi 384 mijë qytetarë janë larguar që nga viti 2003. Ata nuk i dëboi një ushtri e huaj. I dëboi dëshpërimi. I dëboi papunësia. I dëboi padrejtësia. I dëboi bindja se në vendin e tyre nuk vendos puna dhe dija, por lidhjet politike.
Pas tyre kanë mbetur shtëpi të mbyllura, oborre pa zëra fëmijësh dhe prindër të moshuar që jetojnë me mallin e një telefonate nga larg. E ju sot që keni fituar nje grusht vota beni debate se kush me qeverisë me vendin por keshtu si kei filluar se shpejti nuk do te ka kush te ju votojë.
Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët po përjetojnë të njëjtën dramë. Ata që dikur sakrifikuan për barazi, përfaqësim dhe dinjitet, sot largohen bashkë me fqinjët e tyre maqedonas, sepse varfëria, korrupsioni dhe mungesa e perspektivës nuk bëjnë dallim mes kombeve. Në dy dekadat e fundit vendi ka humbur rreth 185 mijë banorë. Është një plagë që prek të gjithë.
Në Shqipëri, vendin magjik të Ballaknit ka ndodhor ekzod masiv, pamja është edhe më tronditëse. Popullsia ka rënë në rreth 2.4 milionë banorë. Rreth 721 mijë njerëz janë zhdukur nga statistikat që nga viti 2000. Gati një e katërta e popullsisë është larguar.
Janë banka shkollash që mbeten bosh. Janë fshatra që po shuhen. Janë qytete që plaken. Janë djepa pa foshnja dhe shtëpi ku nuk dëgjohet më zëri i fëmijëve. Janë familje të ndara nga mijëra kilometra dhe prindër që plakjen e jetojnë vetëm.
Nëse ky ritëm vazhdon edhe njëzet vjet të tjera, pasojat do të jenë shkatërrimtare.
Trojet shqiptare do të mbushen me pleq, ndërsa të rinjtë do të ndërtojnë jetën e tyre në vende të huaja. Shkollat do të mbyllen për mungesë nxënësish, ndërsa azilet dhe spitalet do të mbushen. Sistemet e pensioneve do të lëkunden, sepse nuk do të ketë më mjaftueshëm njerëz që punojnë dhe paguajnë taksa. Ekonomitë tona do të varen gjithnjë e më shumë nga remitancat e diasporës dhe nga ndihmat e jashtme.
Për të mbajtur në këmbë ekonominë, shtetet do të detyrohen të importojnë fuqi punëtore nga vende të tjera. Paradoksi më i madh do të jetë se tokat ku nuk gjetën të ardhme bijtë e këtij kombi do të mbushen nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje historike me to.
Edhe pesha jonë në Ballkan do të zbehet. Një komb që plaket dhe zvogëlohet humbet forcën ekonomike, politike dhe strategjike. Popullsia ka qenë gjithmonë një nga asetet tona më të mëdha. Nëse humbim njerëzit, humbim edhe zërin.
Kjo nuk është një fatkeqësi natyrore.
Nuk është një mallkim.
Është pasojë e viteve të tëra të korrupsionit, keqqeverisjes, vjedhjes së pasurisë publike, shkatërrimit të arsimit, shëndetësisë dhe ekonomisë. Është rezultat i një politike që ka menduar më shumë për pushtetin sesa për popullin.
Ata mund të ndërtojnë vila, të fitojnë zgjedhje dhe të mbajnë fjalime patriotike përpara flamurit.
Por patriotizmi nuk matet me flamuj të mëdhenj, me parulla apo me konferenca shtypi.
Patriotizmi matet me familjet që zgjedhin të jetojnë në atdhe. Matet me fëmijët që lindin e rriten në këtë tokë. Matet me të rinjtë që besojnë se e ardhmja e tyre është këtu dhe jo në aeroport.
Nëse nuk zgjohemi sot, nëse nuk kërkojmë reforma të thella, drejtësi të vërtetë dhe përgjegjësi për ata që e kanë sjellë këtë gjendje, pas njëzet vitesh nuk do të diskutojmë më se kush fitoi zgjedhjet.
Do të përballemi me një pyetje shumë më të rëndë dhe shumë më të dhimbshme:
Kur të ketë ikur edhe shqiptari i fundit sepse edhe unë që shkrova këtë me lotë në sy, luftova fortë për ketë vend nuk me ka mbetë rrugë tjeter vetëm me ike nga ky vend!
