Jashari kritikon shkurtimin e 3,101 mësimdhënësve: Jo racionalizim pa plan, komunat po përballen me barrë milionëshe
Kandidati i LDK-së për deputet, Vedat Jashari ka reaguar ndaj ndryshimeve në grantin e arsimit për vitin 2026 duke ironizuar idenë e racionalizimit të sistemit arsimor dhe duke paralajmëruar pasoja serioze për komunat dhe cilësinë e arsimit.
“Pse të mos bashkohen klasat në Zoom, një mësues për tri komuna. Kështu e kishim adresu problemin e zvogëlimit të buxhetimit për pagat e mësimdhënësve në Kosovë. Kjo po do të ishte inovative”, shkroi ai me ironi.
Jashari theksoi se largimi i 3,101 mësimdhënësve nga granti i arsimit për vitin 2026 nuk duhet të trajtohet vetëm si një masë kursimi duke pranuar se rënia e numrit të nxënësve e bën të nevojshëm një racionalizim të rrjetit shkollor, por jo pa një plan të mirëfilltë.
Sipas tij, nëse ky proces zbatohet pa dialog me komunat, pa periudhë tranzicioni dhe pa riorganizim real të shkollave, barra financiare thjesht do të zhvendoset nga niveli qendror te pushteti lokal.
Ai iu referua edhe vlerësimeve të GAP-it, sipas të cilave kostoja për komunat në vitin 2026 pritet të kalojë 24 milionë euro, ndërsa për 25 komunat e analizuara mbulimi jashtë grantit arrin mbi 23 milionë euro, ose rreth 9.17 për qind të grantit të arsimit.
Jashari vlerësoi se racionalizimi mund të sjellë planifikim më efikas të rrjetit shkollor, por paralajmëroi se, pa një strategji kombëtare, ai rrezikon të shndërrohet në krizë sociale dhe arsimore, me mësimdhënës pa siguri për paga, komuna me buxhete të ngarkuara dhe shkolla që mund të mbesin pa staf të mjaftueshëm.
Në fund, ai bëri thirrje për hartimin e një plani kombëtar për riorganizimin e arsimit parauniversitar, me kritere të qarta, periudhë kalimtare dhe mbrojtje të të drejtave të punës duke theksuar se kursimet afatshkurtra mund të krijojnë kosto shumë më të mëdha për sistemin arsimor në të ardhmen. /Kosova.info/
