Shoqata e Prodhuesve ngre alarmin: Rritja e tarifave të energjisë po rrezikon industrinë vendore
Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së tarifave të energjisë elektrike për prodhuesit vendorë, pas vendimit për kalimin në tregun e lirë të energjisë. Sipas saj, ky vendim po dëmton rëndë sektorin prodhues dhe po kërcënon stabilitetin ekonomik të vendit.
Në deklaratën e lëshuar, Shoqata thekson se rritja e menjëhershme dhe e pakoordinuar e tarifave sjell pasoja të drejtpërdrejta, si: mbyllje të bizneseve, ulje të kapaciteteve punuese, rritje të çmimeve për konsumatorët, humbje të vendeve të punës dhe dobësim të konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë.
Edhe pse në letër flitet për një “treg të lirë”, në praktikë, sipas Shoqatës, po krijohet një monopol i heshtur. Ajo thekson se vetëm KESCO po ofron shërbime për furnizim me energji elektrike duke e lënë sektorin pa asnjë alternativë reale dhe duke deformuar konkurrencën në treg.
Për këtë arsye, Shoqata kërkon që vendimi të shtyhet për një periudhë tranzitore prej 1 deri në 2 vjet, në mënyrë që prodhuesit të kenë kohën e nevojshme për t’u përshtatur me kushtet e reja dhe për të pasur mundësi zgjedhjeje mes ofertuesve, ashtu siç e kërkon një treg i lirë funksional.
Shoqata paralajmëron se nëse situata nuk ndryshon, ekziston rreziku që shumë kompani të orientohen drejt vendeve të rajonit për investime dhe zgjerim, çka do të rriste edhe më tej mungesën e stabilitetit industrial në Kosovë.
Në fund, Shoqata e Prodhuesve të Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës, Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe institucioneve përkatëse që ta rishikojnë me urgjencë këtë politikë, të ndalin përkeqësimin e klimës së të bërit biznes dhe të ndërtojnë një qasje më të drejtë, të hapur dhe zhvillimore për të ardhmen ekonomike të vendit. /Kosova.info/
