Lineker: Bellingham mund të bëhet lojtari më i madh në historinë e Anglisë
Legjenda e futbollit anglez, Gary Lineker, është shprehur i bindur se Jude Bellingham ka potencialin për t`u shndërruar në futbollistin më të madh që ka luajtur ndonjëherë për Kombëtaren e Anglisë.
Ish-sulmuesi i “Tre Luanëve” dhe analisti i njohur ka mbetur i impresionuar nga paraqitjet e yllit të Real Madridit në Kupën e Botës 2026, ku mesfushori ka qenë një nga protagonistët kryesorë të skuadrës së drejtuar nga Thomas Tuchel.
Bellingham ka shënuar gjashtë gola në këtë turne dhe aktualisht ndan kreun e golashënuesve të Anglisë me kapitenin Harry Kane.
“Ai mund të përfundojë duke u bërë futbollisti më i madh në historinë e Anglisë”, ka deklaruar Lineker, duke vlerësuar ndikimin e madh të 22-vjeçarit në ekipin kombëtar.
Bellingham ishte vendimtar në kualifikimin e Anglisë në gjysmëfinale, pasi shënoi dy herë në fitoren 2-1 ndaj Norvegjisë në fazën e eliminimit direkt.
Tashmë ylli i Real Madridit do të kërkojë një tjetër paraqitje heroike në përballjen ndaj Argjentinës së Lionel Messit, me synimin për ta dërguar Anglinë në finalen e parë të Kupës së Botës që nga triumfi historik i vitit 1966.
