Sëmundjet dhe pesticidet po rrezikojnë bletarinë

Dëmtimi dhe sëmundjet e bletëve janë kthyer në shqetësim për bletarët. Ata vlerësojnë se nevojitet përkushtim më i madh gjatë aplikimit të inputeve dhe kemikateve në kulturat bujqësore, pasi këto konsiderohen ndër shkaktarët kryesorë të dëmtimit të bletëve dhe zvogëlimit të numrit të tyre.

Sëmundjet dhe dëmtimi i bletëve kanë shqetësuar shoqatat e bletarëve, të cilat vlerësojnë se ekziston një gamë e gjerë faktorësh që ndikojnë në shëndetin e bletëve, si pasojë e të cilëve numri i tyre në vend ka shënuar rënie.

“Në vend që spërkatja me herbicide dhe pesticide të bëhet në mbrëmje, kur është më e përshtatshme për kulturat bujqësore dhe kur bletët janë në koshere, ne e bëjmë spërkatjen gjatë ditës dhe i dëmtojmë bletët”, tha Hilmi Syla, bletar.

Bletari Ismet Limani thotë se kujdesi për bletët duhet të jetë më i shtuar, ndërsa përveç kimikateve të përdorura në bujqësi, edhe importimi i bletëve mbetet një tjetër faktor që ndikon në shëndetin e tyre.

“Bletë nga Serbia sillen vazhdimisht dhe 90 për qind e tyre vijnë me sëmundje. Për shkak të çmimit më të lirë, ata po e pastrojnë terrenin e vet dhe po na i sjellin sëmundjet në bletoret tona”, tha Ismet Limani, bletar.

Sipas bletarit Syla, duhet treguar kujdes më i madh dhe të zhvillohen konsultime me ekspertë, në mënyrë që shëndeti i bletëve të mos rrezikohet për interesa tregtare apo për mbrojtjen e kulturave të tjera bujqësore.

“Kujdes i shtuar për ruajtjen e ambientit, që ndikon drejtpërdrejt edhe në bletari, ndërsa bletaria ndikon në shëndetin e gjithë popullatës sonë”, tha ai.

Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë thonë se janë të njoftuar me problemin e krijuar. Sipas tyre, aplikimi i inputeve bujqësore në kohë të papërshtatshme ka ndikuar në zvogëlimin e numrit të koshereve të bletëve.

Aktualisht po analizohet situata e përgjithshme dhe po shqyrtohen faktorët që kanë ndikuar në sëmundjet, dëmtimin dhe ngordhjen e bletëve.


Go to TOP