“Saliun e akuzuan si agjent të Ramiz Alisë”- Protagonisti i Lëvizjes Studentore zbulon prapaskenat: Si lindi përplasja mes Berishës dhe Pashkos!

E ka ndier si detyrim që të shkruajë për historinë e Lëvizjes Studentores sepse, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë me zemër, mendje dhe trup në të, nuk mund të durojë shtrembërimet që i bëhen asaj në emër të përfitimeve personale. Pa zbukurime dhe pa retushime. Kështu vjen sot protagonisti i ngjarjeve që rrëzuan komunizmin, Mirel Sarxhi.

Kujtime dhe refleksione që këta autorë ia kanë besuar botimin në grup njërit prej tyre, Bislim Ahmetajt. I pari që hapi edhe këtë cikël, por edhe i pari që hodhi dritë mbi krijimin e financave të PD-së me lekët e studentëve dhe pedagogëve. Për të vijuar dje me Arben Demetin, që tregoi paradoksin e përfshirjes së tij në themelimin e PD-së, në një kohë që ishte anëtar i PPSH-së, si dhe përplasjen Edi Rama–Gramoz Pashko më 13 dhjetor 1990.

Për  kimistin e njohur në SHBA, Mirel Sharxhi, vjen me një ditar, ku që në fillim të tij shkruan: “Shumë fjalë thuhen për brezin e studentëve të dhjetorit 1990, por fatkeqësisht ka shumë njerëz që përpiqen të nxjerrin në pah vetëm veten e vet në këtë Lëvizje, duke dëmtuar herë me dashje, e herë pa qëllim kontributin e të tjerëve, duke dëmtuar kështu vetë Lëvizjen. Në këtë ditar do të përshkruaj komplet çfarë kam parë dhe dëgjuar gjatë atyre ditëve, historia e të cilave është e padokumentuar. Ato që po shkruaj janë ato që kam përjetuar vetë dhe po shkruhen pa zbukurime, pa retushime”. Ditarin e kemi shkurtuar pak, por përmbajtjen aspak…

Në Plenumin e 13-të të KQPPSH, Ramiz Alia shpalli “pluralizmin e mendimit”, dhe jo atë politik që pritej nga populli. Në Qytetin Studenti, klika e kuqe po mundohej t’i bënte studentët për vete duke shitur ca xhupa të vjetër, ca pantallona xhinse dhe duke lejuar edhe ca mbrëmje vallëzimi. Por, ne studentët ishim bij të popullit dhe inteligjenca më e re dhe më e papërlyer me të kaluarën.

150 studentë të degës Inxhinieri Mekanike i bënë një letër Adil Çarçanit për përmirësimin e kushteve të jetesës. Ndërkohë, në Institutin e Lartë të Arteve iu kërkua Hekuran Isait vendosja e pluralizmit politik. Kryeministri Çarçani erdhi në orën 10:00 për t’u takuar me studentët, pa lajmëruar. Atje u ndodhën ca studentë dhe punonjës të konvikteve që u mblodhën me kryeministrin te salla e televizorit e godinës së vajzave 11-12. Atje kryeministri u ndesh ballë për ballë me zemërimin e studentëve. Nuk e harroj çastin kur ai u fut në veturën luksoze “Benz” me fytyrë të verdhë si të të vdekurit. Kjo ishte dita e fundit e tyre. Ai përshëndeti studentët duke ngritur grushtin lart, por ne e injoruam fare. Atë grusht komunist ne studentët nuk do ta ngrinim më kurrë.

Djemtë e godinave të  Inxhinierisë nuk kishin drita nga shkaku i djegies së një transformatori dhe mosrregullimit të tij. Djemtë e godinave 21-22, 28-29 filluan të hidhnin parullat antikomuniste “Poshtë Enveri, poshtë Nexhmija” etj. Natën e 8 dhjetorit kjo mori pamjen e një revolte masive. Duke shkuar te godina e Juridikut pashë se ishim 6-7 drejtues të masës dhe hedh idenë se na duhet një organizator. Ndërsa po diskutonim këtë gjë, dikush u betua në emër të fëmijëve se do të jepte edhe jetën për çështjen tonë. Te stoli prej guri i godinës 14 u ngjit një djalë i ri me flokë kaçurrela, pak të rëna përpara, me një xhup të zi prej lëkure dhe me pantallona xhins. Ai bëri thirrje për pak qetësi. Pastaj bëri be se do t’i falte të dy fëmijët e tij për këtë Lëvizje dhe do të bashkohej me të. Në këtë mënyrë, Azem Hajdari u bë automatikisht drejtues i turmës së irrituar studentore. Ai ishte nga Tropoja, vitii III, Filozofi. Tani turma mund të quhej fare mirë një masë studentore e organizuar. Masa mori rrugën për te godina 11-12 e vajzave. Parulla që po hidhej ishte: “Jeni motrat tona, bashkohuni me ne” dhe me dhjetëra vajza u bashkuan me studentët djem.

Ndërkohë kalojnë disa makina të vogla të policisë dhe turma u çorganizua pak, por u riorganizua shpejt dhe shkoi te godina 9-10 e vajzave të Ekonomikut. Duke zbritur tatëpjetën po thërrisnim: “Poshtë diktatura”. Në ato çaste më kap për krahu komandanti i brigadës ushtarake që përfshinte dhe Qytetin Studenti, Kristaq e kishte emrin, dhe më thotë: – Jo kështu çuna, kthehuni mbrapa. – Si të kthehemi mbrapa? – I them. – Erdhi kryeministri dhe nuk deshi t’ia dinte për kërkesat tona! Kështu që do të vemë te Ramiz Alia. Me këto fjalë komandanti trupvogël u zhduk. Në të djathtën time ishte një vajzë që kish dalë ashtu siç qe ndodhur. I kishte flokët e verdhë, të shtrirë, me fytyrë të dobët. Flokët i venin deri te supet. Ajo kish dalë me pizhame, ca pizhame me lule të stampuara. Ajo u jepte zemër shumë vetave dhe nga e folura duhej të ishte nga Labëria. Më vonë mora vesh se quhej Alma Bendo dhe ishte nga Vlora.

Tek e dala e Qytetit Studenti shohim një rresht të zi dhe me t’u afruar pamë policinë. Duke u rrotulluar për dy orë rreth Qytetit Studenti, policia kishte ardhur dhe kishte bllokuar rrugën. Kishte policë dhe civilë. Ndalesa e parë u bë te çerdhja e fëmijëve te udhëkryqi. Këtu kishte ardhur dhe sekretari i parë i KP të Tiranës, Pirro Kondi dhe ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi. Masa deshi të ecte përpara, por këtu nuk e linin më policët. Azemi u shkëput dhe u takua me të pranishmit. Skënder Gjinushi, që më njihte pasi jepte mësim te Fakulteti i Shkencave ku unë studioja, më sheh dhe pasi më kap për krahu, më bërtet: “Po ti këtu?! Kthehuni!!!”. Ndërkohë kapi dhe ca çuna të tjerë që u ndodhën në rreshtin e parë, nga të cilët mbaj mend Arben Likën. “Na lini rehat, shoku ministër, – iu përgjigja, – ne kemi dalë për të drejtat tona dhe të të gjithë shqiptarëve”. Ndërkohë Azemi kthehet dhe kërkon ta bindë masën ta linte Pirro Kondin të fliste. Masa iu përgjigj Pirros me fërshëllima. Ai, megjithatë, mori megafonin dhe filloi të fliste.

“Studentë të dashur. Partia mendon për ju…!”. Nuk u dëgjua më se fishkëllimat e mbytën zërin e tij. Ngre kokën sipër. Në tarracat e pallateve, njerëz me armë, ushtarë dhe policë. Në rrugën që merr kthesën për të arritur te Liceu Artistik, te Kryqi i Kuq Shqiptar, ndonja 20-30 metra më sipër, te kthesa, shohim siluetat e trupave speciale të Repartit 326, makina, policë, civilë etj. Ndaluam përsëri dhe brohoritëm: “Policia është me ne! Largoni policinë!”.

* * *
Kishte kaluar mesi i natës. Pritje nga të dyja palët. Më në fund vjen lajmi që R. Alia do të priste te godina e UT-së. Policia mori me forcë 12 veta që u ndodhen më afër dhe i shtyu për në takimin me Alinë. Turma e studentëve priste dhe nëpër të depërtuan civilë të Sigurimit që të na bindnin të mos vazhdonim më tej. Pas një pritjeje të gjatë vjen delegacioni i përbërë nga 12 veta. Azem Hajdari i hipur në kurrizin e një studenti, pasi mori megafonin, tha: “Vëllezër studentë! Presidenti nuk do të na presë sot! Ai do të na presë të martën”. Një thirrje mosaprovimi përshkoi radhët e studentëve. “Do të rrimë e të presim këtu”, bërtita unë dhe u ula në tokë së bashku me disa studentë. Shumë të tjerë na pasuan. Më pas, megafonin e mori ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, që tha: “Shokë studentë! Largohuni nëpër konvikte”. Fjala e tij u mbyt nga një stuhi të sharash dhe fishkëllimash që e detyruan ta ndërpriste fjalën. Më pas urdhëroi oficerët që të ishin në gatishmëri për të goditur. Sampistët, që deri atëherë rrinin si hije, lëvizën. Një oficer bërtiti me të madhe:“Më morën revolen”.

Pranë tij u ndodh një student nga Korça, Avdul Demirazi quhej. Në një farë mënyre oficeri e akuzoi atë për vjedhjen e pistoletës. Kaq mjaftoi që nga goja e ministrit të Brendshëm të dilnin fjalët ogurzeza: “Qëlloni! Qëlloni! Qëlloni!”. Ishte një tmerr i vërtetë. Sampistët filluan të qëllonin me egërsi me shkopinjtë e gomës dhe turma nisi të shpërndahej. U pengova nga një rrjetë teli që kishte rënë nga një ballkon i katit të parë dhe mbi mua u penguan shumë të tjerë. Megjithatë, mblodha forcat dhe u ngrita. Vura re që isha te një pallat në formë L-je nja 30 metra larg nga sampistët. Në anën tjetër, pikërisht atje ku kishte ndodhur masakra, një polic na tha: “Kaloni se nuk do t’ju qëllojmë”. Ne nuk i besuam, hodhëm disa gurë drejt tyre.

Ata nuk reaguan. Më në fund dolëm nga “çarku” i pallatit dhe morëm rrugën për në Qytetin Studenti duke sharë, mallkuar policinë, duke hedhur parulla kundër regjimit të kuq dhe policisë që kishte qëlluar mbi ne, sidomos mbi vajzat. Një vajzë, Mimoza, nga Vlora, ishte e plagosur rëndë. Kishte dhe katër të arrestuar. U mblodhëm te qendra e Qytetit Studenti, te shatërvani. Azemi dhe një grup studentësh. Filluam të jepnim alternativa për të nesërmen. Shumë prej tyre kundërshtoheshin nga turma e mbledhur, rreth 300 veta. Ora ishte 3 apo 4 e mëngjesit. Ndërkohë erdhi lajmi që të arrestuarit ishin liruar. Një djalë me pardesy të errët e solli këtë lajm, pasi ishte njëri nga të arrestuarit. Ai tha që policia u soll mizorisht me të arrestuarit. Ai vetë kishte shenja dhune në fytyrë. “Po t’i heq rrobat e trupit më kanë goditur edhe më keq!”, tha ai.


* * *

Të nesërmen, më 9 dhjetor 1990, në orën 7:00, ishin mbledhur shumë pak studentë, por në orën 10:00 turma arrinte me mijëra dhe falë organizimit të mirë filloi të zbriste nga sheshi, Pallati i Kulturës. Lajmi se policia kishte qëlluar mbi studentët i kishte irrituar të gjithë. Isha me Artan Isajin dhe Adnan Gradecin, që të dy dega Kimi FSHN. Të tre bashkë po ecnim me turmën. Masa e studentëve ndaloi para Fakultetit Ekonomik dhe filloi të bërtiste “Bashkohuni me ne”, duke iu drejtuar studentëve që kishin vajtur në mësim. Shumë prej tyre e lanë mësimin dhe u bashkuan me ne. Më tej e njëjta parullë dhe para Shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja. Te liceu “Jordan Misja” dalluam sampistët që kishin bllokuar rrugën. Masa e studentëve u ndal pikërisht aty. Ndërkohë, një punonjës i Sigurimit, me kamera, doli në një dritare të Liceut Artistik dhe po filmonte. Pasi e pamë, masa e studentëve filloi të bërtiste: “Largoni kamerat”. Punonjësi i Sigurimit u zhduk. Më pas doli Lisien Bashkurti, sekretar i parë i KQ të BRPSH-së me një megafon në dorë dhe po bënte thirrje që të ktheheshim në konvikte. Në emër të studentëve, Azem Hajdari i përgjigjet: “I themi shokut Lisien se ne nuk do të largohemi që këtej pa marrë vesh se kush i qëlloi motrat tona mbrëmë”.

Masa e studentëve e përkrahu me ovacione të zjarrta, bile iu bë thirrje Lisen Bashkurtit të bashkohej me studentët: “Lisien! Bashkohu me ne!”. Kameramani spiun doli edhe njëherë te dritarja. Filmoi. Masa e studentëve kundërshtoi. Dikush qëlloi me gurë xhamat e dritares dhe pas kësaj kameramani nuk u duk më. Ai si duket filmoi mjaft. Të nesërmen, këtë film Sigurimi ua tregoi sekretarëve të PPSH-së së fakulteteve për të identifikuar studentët. Ndërkohë ora po afrohej 13:00. Te turma e studentëve që rrinte te fusha mes Ambasadës Italiane e muzeut “Lenin-Stalin”, dhe që kishin mundësi të shihnin më mirë, plasi rrëmuja dhe klithmat. Ata e panë që ishte dhënë urdhri për të shpërndarë studentët me çdo mjet dhune. Rreshtat e parë filluan të shtyheshin sepse policia dhe sampistët po qëllonin pa mëshirë. Portat e Ambasadës Italiane dhe asaj Franceze ishin të hapura, por asnjë nga studentët nuk u fut. Së bashku me Adnan Gradecin po u bënim thirrje studentëve që të qëndronin me çdo kusht, por thirrja jonë u mbyt nga shkopinjtë e gomës dhe ulërimat e njerëzve. Policë e sampistë me mburoja plastike dhe me maska qëllonin pa mëshirë dhe si të çmendur mbi studentët.

Bilanci ishte 30 të plagosur dhe rreth 30 të arrestuar, sipas të dhënave paraprake. Ata që ishin plagosur rëndë u dërguan në spital me makinën e Lisen Bashkurtit. Kam parë studentë që binin në fushën me baltë dhe policia qëllonte mbi ta ashtu të shtrirë, pa mëshirë. Pas nesh, nga një kthesë, dolën nja 10 sampistë. Duke përfituar nga pozicioni pak më i ngritur, filluam t’i qëllonim me gurë, derisa sampistët u tërhoqën nga erdhën. Pasi kaluam 2-3 pallate që janë mbi shkollë, dolëm te rruga para godinës 9-10 të vajzave. Atje shoh Skënder Gjinushin që kishte ardhur bashkë me disa studentë. I afrohemi dhe i tregojmë plagët e shkaktuara nga e policia. “Unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi për çfarë ka ndodhur”, u shpreh ai me cinizëm. “Po ju të gjithë njëlloj jeni”, i bërtita dhe breshëria e gurëve u lëshua mbi makinën e tij tip “ARO”. Për pak sekonda ajo mbeti pa xhama.

* * *
Më pas shkova në godinën 3 ku rrija dhe u takova Artan Isajin dhe Niko Kaçirotin. Po bënim bilancin e njerëzve që ishin plagosur apo arrestuar. Po ashtu, po bisedonim për të bojkotuar mësimin të nesërmen. Në bisedë e sipër, Artan Isaji bërtet: “Po vjen Sali Berisha”. Dhe tregoi një burrë të gjatë, me pardesy të bardhë. Sali Berisha ndaloi. Ne, duke folur me zë të lartë, duke e ndërprerë njëri-tjetrin, po i tregonim se çfarë kishte ndodhur atë ditë. Por ai e kishte parë ngjarjen nga shkallët e Liceut Artistik. I thamë se kishim ndër mend që në orën 19:00 të dilnim në qendër të Tiranës për të demonstruar.

Ai tha: “Kultura juaj fitoi mbi injorancën e tyre. Ju dhe ne intelektualët kemi kulturë”. Një pjesë e studentëve u larguan të pakënaqur nga kjo përgjigje. Madje disa e akuzuan Berishën si agjent të Alisë. Por ai kategorikisht nuk e pranoi këtë gjë. Me ndërhyrjen e tij, manifestimi i lënë te sheshi “Skënderbej” nuk u bë. Të nesërmen, ditë e hënë, 10 dhjetor. Komisioni i Lëvizjes Studentore dhe aktivistë të tjerë bllokuan rrugët ku studentët kalonin për të marrë leksionet e tyre. Kështu u arrit një bojkotim pothuajse i plotë i mësimit. Përsëri u mblodhëm te sheshi. Qarkullonin lajme, sipas të cilave vajza e qëlluar nga policia kishte vdekur. Komisioni i Lëvizjes Studentore bëri vizita në spital, por atje ajo nuk ndodhej. Për fat, ky lajm doli të mos ishte i vërtetë. Të arrestuarit u liruan pas disa orësh presioni e hetimesh. Për lirimin e tyre ka dhënë kontribut Zenel Hoxha, i cili i tha Sali Berishës dhe ky ifundit ndërhyri deri te Ramiz Alia, e ky dha urdhër për lirimin e studentëve.

Ishin rreth 100 të pranishëm dhe mbaj mend që isha me një student nga Shkodra, Adrian Palushi. Në krahun e djathtë ishte ulur aktori Kastriot Çaushi. Mbledhja pati debate të ashpra mes Pashkos e Berishës. Në një moment, Aleksandër Meksi deshi të largohej nga mbledhja. Në një moment pushimi kam qenë prezent në një prej debateve mes Pashkos e Berishës. Berisha mundohej ta qetësonte Pashkon, pasi nuk po e mënjanonte njeri, ai ishte në Komisionin Nismëtar. Pashko, nga ana tjetër, thoshte: “Mua më njeh Senati i Kongresit Amerikan”. Me sa kuptova, Pashko kishte frikë se mos mbetej në minorancë në Komisionin Nismëtar, pasi mendonte se studentët do të përkrahnin Berishën, po ashtu dhe punëtorët e Tiranës. Më në fund, pas nja 5 minutash debat të nxehtë, ata ranë dakord dhe u futën në sallë për të vazhduar mbledhjen. Kryetar i Komisionit Nismëtar u zgjodh studenti dhe lideri i Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari. Sali Berisha në sallën e televizorit të godinës u shpjegonte njerëzve programin e PD-së dhe vizonin e saj. Kur ky nuk ishte, këtë punë e bënte Arben Imami dhe Azem Hajdari, ndonjëherë Gramoz Pashko. Kjo punë vazhdoi paralelisht me mitingjet e PD-së në rrethe për krijimin e degëve të PD-së atje…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

Go to TOP