Salihu: Problemet përmbarimore nëpër komuna, rëndojnë anën financiare
Bekim Salihu, nga Instituti GAP, ka folur për problemet përmbarimore nëpër komuna, ku si pasojë e obligimeve gjyqësore, po rëndojnë anën financiare të tyre, që, sipas tij, është shqetësuese.
Ai, si një nga problemet përmbarimore, vë në dukje kontratën kolektive në arsim, nga viti 2017-2021, prej nga burojnë obligimet të komunave, që, pastaj, këto raste mësimdhënësit i dërgojnë këto raste në gjykata për t’i kërkuar të drejtat e tyre.
”Dominon kontrata kolektive në arsim, por nuk është kjo kontratë e vetme, është kontrata kolektive edhe në sektorin e shëndetësisë, ku është paraparë paga e 13 për të punësuarit në këtë sektor”, tha Salihu në ”InfoPlus”, në RTK.
Ai shtoi se ka vendime e ligje të tjera që kanë ndikuar në këtë proces, teksa vuri në dukje edhe një mori vendimesh të pazbatuara deri më tani, si për shujtën, pagesën për punë gjatë festave, për punë gjatë ndërrimit të natës, etj.
Ndryshe, Instituti GAP ka vënë në pah se komunat gjatë viteve 2022-2024 kanë paguar mbi 163 milionë euro për obligimet përmbarimore.
