Salihaj: Kosova është vetëbllokuar, partitë politike kanë harruar interesat kombëtare
Ish-zëvendëskryeministri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Adem Salihaj, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike në vend duke thënë se Kosova po përjeton momente të rënda për shkak të bllokadës institucionale dhe mungesës së përgjegjësisë kombëtare nga partitë politike.
“Sot u dëshmua se Kosova përfundimisht është vetëbllokuar dhe nuk ka gjasa të dalë nga kjo situatë as pas gjashtë muajsh zvarritjeje,” ka deklaruar Salihaj duke shtuar se kjo po ndodh në një kohë kur Serbia ndodhet në pozitën më të keqe të mundshme, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.
Ai ka theksuar se, ndonëse Serbia po përballet me trazira të brendshme, izolim ndërkombëtar dhe kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian, Kosova po e humb një mundësi historike për ta kthyer situatën në favor të saj. “Në vend se të bëjmë kundërofensivë diplomatike dhe politike kundër Serbisë, partitë tona kanë zgjedhur ta paralizojnë jetën institucionale,” ka thënë ai.
Sipas tij, bllokimi i konstituivit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë për gjashtë muaj ka futur vendin në një krizë të thellë dhe paqartësi të madhe. “Inatet e partive politike janë aq të mëdha, sa i kanë harruar interesat nacionale. Me këtë gjuhë urrejtjeje dhe përçarjeje, Kosova nuk ka të ardhme,” ka theksuar Salihaj.
Ai ka kritikuar ashpër edhe nivelin e deputetëve të Kuvendit duke thënë se asnjëherë pas luftës Kosova nuk ka pasur përfaqësues me nivel më të ulët të kulturës shtetformuese. “Gjuha e përdorur në Kuvend ka qenë më shumë rrugaçe sesa parlamentare. Fyerjet dhe sharjet me nënë e rob janë bërë standard, e deri edhe përleshjet fizike,” ka deklaruar ai.
Në fund, Salihaj ka shtuar se kjo gjendje është pasojë e mungesës së idealeve dhe e shkatërrimit të kulturës politike. “Kur të bllokon dikush, vjen dikush tjetër dhe të zhbllokon; por kur e bllokon veten, nuk mund të të zhbllokojë askush,” ka përfunduar ai me tone kritike duke shtuar se duket se kjo gjeneratë e politikanëve e ka harruar dhimbjen, sakrificën dhe tragjedinë e popullit të vet. /Kosova.info/
