Kryeziu: Me refuzimin e qeverisë së pakicës, partitë ia dhuruan Albin Kurtit kauzën që i mungonte

Analisti politik Kadri Kryeziu ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend duke theksuar se propozimi i Albin Kurtit për një qeveri të pakicës ishte një përpjekje për të krijuar një periudhë tranzitore të koordinuar dhe me detyra të qarta shtetërore.

“Sot Albin Kurti propozoi një Qeveri të pakicës. Qeveria e pakicës është ajo që merr 61 vota, por në mungesë të një marrëveshjeje koalicioni mund të rrëzohet në çdo moment. Qëllimi i saj do të ishte përmbushja e disa detyrave shtetërore të akumuluara dhe më pas organizimi i zgjedhjeve të reja në mënyrë të koordinuar mes të gjitha partive,” shkroi Kryeziu.

Ai shtoi se me propozimin e Dimal Bashës si ministër, Kurti ka dërguar sinjal drejt partive të dala nga UÇK-ja për mundësinë e një marrëveshjeje të përbashkët, që përfshin edhe emërimin e një Kryetari të ri të Kuvendit për një periudhë tranzitore. Sipas tij, kjo qeveri do të kishte mandat të kufizuar dhe detyra të qarta për stabilizimin e skenës politike.

Kryeziu vlerësoi se mospranimi i kësaj formule ka kuptim vetëm nëse partitë opozitare arrijnë brenda dhjetë ditësh të formojnë një qeveri të re, gjë që, sipas tij, është e mundur numerikisht, por mungon vullneti politik.

“PDK, AAK dhe NISMA janë pro. LDK është kundër. Pra, LDK-ja, më saktë, egoja e Lumir Abdixhikut – është arsyeja pse Albin Kurti do të hyjë në vitin e gjashtë të mandatit të tij katërvjeçar,” shkroi ai.

Në përfundim, Kryeziu theksoi se duke refuzuar qeverinë e pakicës dhe duke mos formuar një qeveri të re brenda afateve kushtetuese, partitë opozitare ia kanë dhuruar Kurtit kauzën politike që i mungonte.

“Tani, Albin Kurti do ta ketë të gjithë energjinë dhe motivin për ta kërkuar dhe synuar shumicën absolute – 51% të votës,” përmbylli ai. /Kosova.info/


Go to TOP