Salih Murat: Në qeverinë e re ka vend për të gjitha komunitetet, por jo për turqit
Deputeti evropian në Maqedoninë e Veriut, Salih Murat, ka reaguar ashpër pas publikimit të përbërjes së qeverisë së re duke akuzuar udhëheqjen e një partie turke për dështim në përfaqësimin e komunitetit turk.
Sipas Muratit, në kabinetin e ri qeveritar ka ministra nga komuniteti maqedonas, shqiptar, serb dhe rom, por nuk ka asnjë përfaqësues të komunitetit turk.
Ai vlerëson se kjo situatë është pasojë e një udhëheqjeje partiake që, sipas tij, ka vepruar pa parime dhe ka vënë interesat personale mbi interesat e popullit turk.
“Nuk u arrit asnjë marrëveshje programore dhe asnjë pajtim konkret mbi politikat qeveritare, ndërsa dinjiteti dhe interesat legjitime të popullit turk u lanë anash për interesa të ngushta politike”, ka shkruar Murat.
Ai shton se partneriteti strategjik i ndërtuar ndër vite është shndërruar në një krizë të thellë besimi dhe ka paralajmëruar se, sipas tij, të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë situatë do të mbajnë përgjegjësi politike.
Murat përfundon duke thënë se e vërteta, sipas tij, herët ose vonë do të bëhet publike. /Kosova.info/
