Talente nga diaspora bashkohen me Kombëtaren U17 të Kosovës për vajza në kampin treditor

Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur sot kampin treditor të Kombëtares U17 të vajzave, një iniciativë që synon identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja nga Kosova dhe diaspora.

Nën drejtimin e përzgjedhëses Sanije Krasniqi dhe stafit teknik, në këtë grumbullim po marrin pjesë 29 futbolliste të gjeneratave 2010, 2011 dhe 2012 duke përfshirë edhe lojtare që për herë të parë po veshin fanellën dardane.

Gjatë ditës së parë të kampit, futbollistet janë shfaqur të motivuara dhe me shumë entuziazëm duke dhënë maksimumin në seancat stërvitore dhe duke synuar të dëshmojnë potencialin e tyre para stafit teknik.

Në dy ditët në vijim, do të vazhdojë vlerësimi i detajuar i secilës lojtare, ndërsa më të dalluarat pritet të përfshihen në përfaqësueset U15 dhe U17 të Kosovës, si pjesë e procesit të ndërtimit të gjeneratave të reja në futbollin e vajzave. /Kosova.info/


Go to TOP