Salah shpallet `Lojtari i Sezonit` në Premier League
Ylli egjiptian i Liverpool, Mohamed Salah, është shpallur “Lojtari i Sezonit 2024/25” në Premier League pas paraqitjeve që e çuan skuadrën drejt titullit kampion.
Salah, i cili këtë çmim e kishte fituar edhe në sezonin 2017/18, tani bëhet vetëm lojtari i pestë në histori që e fiton dy herë këtë trofe individual prestigjioz. Në këtë listë ai u bashkohet emrave të mëdhenj si Thierry Henry, Cristiano Ronaldo, Nemanja Vidic dhe Kevin De Bruyne.
Me 28 gola dhe 18 asistime këtë sezon, Salah ka kontribuar në plot 46 gola për Liverpool.
Forma e jashtëzakonshme e Salahit këtë sezon ka bërë që ai të arrijë kuotën e 244 golave me fanellën e Liverpool, duke u renditur i katërti në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e klubit. Ndërkohë, me 185 gola të shënuar në elitën angleze, ai qëndron në vendin e pestë në listën e golashënuesve më të mirë në histori të Premier League.
Përveç shpalljes si “Lojtari i Sezonit”, Salah është në garë për ta mbyllur sezonin edhe si golashënuesi dhe asistuesi më i mirë, çka do ta bënte lojtarin e parë ndonjëherë që fiton njëherësh tri çmimet më të mëdha individuale në një sezon të Premier League.
