Sadriu: Rritja e çmimit të energjisë është sabotim ndaj prodhuesve vendorë dhe tradhti ndaj ekonomisë sonë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike për prodhuesit vendorë duke e cilësuar këtë si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë së Kosovës.
Ajo kujtoi sloganin e dikurshëm të Vetëvendosjes “Bleje tënden” duke thënë se tani, me “bekimin e Kurtit dhe qeverisë në ikje”, vendi po përballet me pasoja të rënda për sektorin prodhues.
“Që nga sot, nis rritja e çmimeve për çdo gjë që prodhohet në Kosovë. Fillon falimentimi i ngadaltë i prodhuesve tanë dhe shembja e ekonomisë sonë, edhe ashtu të rënduar,” shkroi ajo në një postim në rrjete sociale.
Sipas Lushaku-Sadriut, kjo politikë nuk ndihmon prodhimin vendor, por e saboton atë. Ajo paralajmëroi se shtrenjtimi i energjisë do të prekte drejtpërdrejt çdo familje dhe çdo qytetar duke rritur barrën mbi ta.
“Kjo nuk është zhvillim, kjo është tradhti ndaj ekonomisë tënde. Sepse kur godet prodhuesin tënd, godet qytetarin tënd. Godet vetë shtetin!” përfundon reagimi i saj. /Kosova.info/
