Sadiku në Parlamentin Evropian: Të rinjtë të fuqizohen përmes inteligjencës artificiale, jo të mbrohen prej saj
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku ka bërë të ditur se në Parlamentin Evropian ka mbajtur një fjalim të shkurtër në emër të një grupi punues të përbërë nga përfaqësues të disa shteteve të Ballkanit, ku u diskutua ndikimi i Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë në shëndetin mendor të të rinjve.
Sipas Sadikut, grupi punues ka hartuar dhe dorëzuar shtatë rekomandime për komisionet përgjegjëse të Parlamentit Evropian, me qëllim adresimin e sfidave dhe mundësive që sjell zhvillimi i shpejtë teknologjik.
Ai theksoi se mesazhi kryesor i grupit ishte se të rinjtë nuk duhet të mbrohen nga teknologjia, por të fuqizohen përmes saj.
“Në një kohë ndryshimesh të mëdha, edukimi, mendimi kritik dhe aftësitë digjitale janë mbrojtja më e fortë që mund t’u ofrojmë brezave të rinj”, ka deklaruar Sadiku.
Ai vlerësoi se përgatitja e të rinjve për të kuptuar dhe përdorur teknologjitë moderne në mënyrë të përgjegjshme është çelësi për përballimin e sfidave që sjell epoka digjitale. /Kosova.info/
