Sadiku: Digjitalizimi i arkave fiskale s’ka dështuar nga mungesa e fondeve, por nga mungesa e vullnetit
Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka reaguar lidhur me zvarritjen e projektit për digjitalizimin e arkave fiskale duke theksuar se kanë kaluar afro tre vite nga nisja e tij pa rezultate konkrete.
Sipas Sadikut, projekti është i domosdoshëm për formalizimin e ekonomisë, rritjen e transparencës dhe luftimin e evazionit fiskal, ndërsa financat nuk kanë qenë pengesë për realizimin e tij. Ai ka ngritur dyshime se mungesa e vullnetit dhe përfshirja e lidhjeve familjare e nepotizmit brenda proceseve kanë ndikuar në dështimin e projektit.
“Kur brenda proceseve futen lidhje familjare dhe nepotizmi, projektet nuk vonohen rastësisht, ato dështojnë me qëllim. Çmimin e paguajnë bizneset, qytetarët dhe shteti”, ka deklaruar ai.
Sadiku theksoi se e ka mbështetur publikisht projektin që nga fillimi dhe vazhdon ta mbështesë duke e cilësuar digjitalizimin si rrugë pa kthim për një shtet modern. Megjithatë, ai shtoi se përkrahja për idenë nuk nënkupton tolerim të, siç e quajti ai, amaterizmit në zbatim.
Deputeti paralajmëroi se së shpejti çështja do të trajtohet në komision duke theksuar se tashmë është në pozitë për të kërkuar llogari për vonesat dhe përgjegjësitë institucionale. /Kosova.info/
