Rusia fajëson SHBA-në dhe BE-në për tensionet e djeshme në veri

Të shtunën, Rusia fajësoi Kosovën, SHBA-në dhe BE-në për përshkallëzimin e tensioneve në Ballkan dhe tha se po monitoron me shqetësim situatën pas tensioneve mes policisë së Kosovës dhe protestuesve që kundërshtuan që kryetarët shqiptarë të marrin detyrën në komunat në veri të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kritikuan të premten Kosovën, duke thënë se përdorimi i forcës për të detyruar kryetarët e komunave të marrin përsipër detyrat në zonat me shumicë serbe, minon përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë fqinje, shkruan agjencia kroate e lajmeve “Hina”.

Të shtunën, NATO-ja i bëri thirrje Kosovës që të ulë tensionet me Serbinë.

Përplasjet mes policisë së Kosovës dhe protestuesve që kundërshtojnë udhëheqësit shqiptarë shkaktuan reagimin e Serbisë dhe presidenti Aleksandar Vuçiq e vuri ushtrinë në gatishmëri luftarake të premten dhe e urdhëroi atë të afrohej në kufi me Kosovën.

“Ne dënojmë me vendosmëri hapat provokues të ndërmarrë nga Prishtina, të cilat e sollën situatën në ethe dhe kërcënuan drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë Ballkanit. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mbajnë përgjegjësi të plotë për këtë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Marija Zakharova.

“Ndërmjetësit perëndimorë” u kujtuan shumë vonë për të qortuar Kosovën, shtoi Zakharova.

Dje, serbët lokalë të tri komunave veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, bllokuan hyrjet e objekteve komunale duke pamundësuar kështu hyrjen e kryetarëve shqiptarë të cilët morën mandatet e tyre pas zgjedhjeve të 23 prillit.

Për pasojë, në Zveçan pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku të lënduar mbetën 5 policë ndërsa u dëmtuan edhe disa automjete të Policisë së Kosovës. Nga ana e protestuesve nuk ka pasur të lënduar, sipas njoftimeve zyrtare.

Go to TOP