RTK pa ngritje të buxhetit, opozita thotë se nuk i mjafton

Edhe në vitin 2025, Radiotelevizioni i Kosovës parashihet të funksionojë me 8.9 milionë euro buxhet.

Sipas projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, nuk ka rritje të buxhetit për mediumin publik. Opozita thotë se këto të ardhura nuk i mjaftojnë televizionit publik për ta përmbushur misionin e tij.

Isak Shabani nga PDK-ja, që është edhe nënkryetar i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, thotë se ndonëse ishte parë e arsyeshme ngritja e buxhetit për RTK-në, një gjë e tillë nuk u pasqyrua në projektbuxhet.

 “Kemi pas kërkesë nga bordi për ta rritur buxhetin, një kërkesë që së paku të jetë 12 milionë qysh ka qenë më parë, por si duket anëtarët e komisionit janë pajtuar por nuk e kanë paraparë në projeksionin që pritet për buxhetin e vitit 2025, përndryshe arsyeshmëri ka pas për me pas rritje. Mbi të gjitha arsyet kanë qenë që ju ka munguar infrastruktura, pajisjet moderne, se e dimë qysh po avancojnë sot teknologjia, kështu që ka pas shumë arsyeshmëri, ndër tjera kanë pas nevojë edhe për ekspert për të zënë vendin e merituar”, ka thënë Shabani.

Pal Lekaj nga AAK ka thënë se ky buxhet është i paktë për RTK-në.

“Mungojnë shumë teknologji, mungojnë shumë programe që duhet të përkrahen sepse është i vetmi televizion publik,

por ja që është lanë në mëshirën e fatit dhe kjo Qeveri nuk i ka interesuar tepër sa i përket mbështetjes buxhetore përpos asaj që të ketë pozicion njerëz të caktuar të ngjyrosur politik”, ka thënë Lekaj.

Armend Muja nga Vetëvendosje thotë se nëse RTK-së i duhet buxhet shtesë për programet, atëherë do të ketë mirëkuptim.

“Kuvendi sipas mundësive dhe sipas ligjit i alokon mjetet vit pas viti. RTK i ka edhe të hyrat vetanake dhe pastaj i takon atyre se si i menaxhojnë. Përgjithësisht ka një mirëkuptim sa i përket nevojës së financimit shtesë për programet e RTK-së”, ka thënë Muja.

E kryetarja e Bordit të RTK-së, Albulenë Mehmeti, vlerëson se mungesa e fondeve ka pamundësuar realizimin e shumë projekteve të planifikuara në projeksionin buxhetor për vitin 2024. Sipas saj, disa projekte janë ndërprerë në fazën e kontraktimit, ndërsa të tjera nuk kanë nisur fare.

 “Kriza financiare që po përballet RTK dhe planifikimi i ndarjes së buxhetit të njëjtë për vitin 2025 pritet të ketë ndikime serioze në funksionimin dhe cilësinë e programeve të saj. Përcaktimi i buxhetit prej 8.960 milionë eurosh do të mbulojë vetëm nevojat bazë të institucionit, si pagat e punonjësve, kontributet, kontratat kolektive, mëditjet dhe disa shërbime komunale, duke përfshirë këtu detyrimet ndaj furnitorëve dhe detyrime kontingjente për vitet e kaluara. Megjithatë, do të mungojnë programet e mirëfillta, pasi mungesa e financave do të pengojë krijimin dhe zhvillimin e përmbajtjeve të reja që pasurojnë skemën programore”, ka thënë ajo.

Në vitin 2021, Qeveria ia kishte ndarë RTK-së 2 milionë e 240 mijë euro më pak sesa viteve paraprake, duke ia shkurtuar buxhetin nga 11,2 milionë euro, në 8 milionë e 960 mijë.

Go to TOP