Rreth 400 ndërmarrje të vogla dhe të mesme priten të përfitojnë grante

Sot përfundon afati për aplikim për grante për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme, e hapur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë. Zyrtarë nga KIESA thonë se në tri kategori të ndryshme, pritet t’i kenë rreth 400 përfitues të granteve, ndërsa vlera totale e mbështetjes është 2.5 milionë euro.

Grant-skema për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese në vlerë prej 1.7 milion euro, Grant-skema për certifikimin e produkteve, në vlerë prej 500 mijë euro, dhe Grant-skema për digjitalizimin e bizneseve në vlerë prej 300 mijë euro, janë tri thirrje për aplikim nga KIESA, për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme.

Drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Zef Dedaj, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se qëllimi i kësaj mbështetjeje është që të nxitë bizneset për të kontribuuar në ekonominë qarkore dhe për të digjitalizuar bizneset e tyre. Ai thotë se bizneset e udhëhequra nga gratë dhe ato me synim punësimin e grave, do të kenë përparësi më shumë.

“Këtë vit te makineria presim t’i kemi rreth 70 – 80 përfitues, te certifikimi 25 deri në 300, te digjitalizimi i bizneseve rreth 100 kompani përfituese. Kur flasim për grant-skemat e dy viteve të fundit, te digjitalizimi, nga 64 përfitues kemi pasur 34 biznese femra, nga 70 që i kemi pasur për makineri vitin e fundit 9 apo 10 prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga femrat. Kriteret bazë të udhëzimit administrativ duhet t’i plotësojnë të gjithë, e në këtë rast kur flasim për biznese të udhëhequra nga gratë, ato kanë pikë më shumë. Dua të theksoj se mjaft shpesh kemi biznese të udhëhequra nga gratë që janë prezentë në panaire”, tha ai.

Ater Arifi, nga Prizreni, ka 23 vjet që merret me artizanate të ngjyrosjes dhe dizajnit. Duke folur për Radio Kosovën, ajo thotë se përkrahjet nga komuna dhe ministria u ndihmojë që të ecin përpara drejt zhvillimit.

“Qe 23 vjet i mësoj gratë në kurse për ngjyrosje në dru, pëlhurë, xhama, stoli dhe prodhim të sapunëve bio. Deri më tash i kemi trajnuar mbi 15 gra që tashmë kanë marrë këtë profesion, e për këtë na ka përkrahur komuna me drejtoritë, grante prej ministrisë dhe shumë gra janë punësuar në Prizren. Kursi zgjat dy muaj, janë teknika të ndryshme. Këto panaire na ndihmojnë shumë. Kemi marrë subvencion para dy vitesh dhe jemi shumë të kënaqur”, theksoi ai.

Edhe Zejxhan Celina, një filigraniste nga Prizreni, thotë se ka biznes individual që merret me stoli filigrani të kombinuar me perla.

“Përfitojmë grante e subvencione, por nuk na japin para për të blerë materialë, ato i jepen për inventarë p.sh makina, tavolina e të tjera. Grantet i marrim vetëm një herë, sepse dy tavolina apo makina nuk na duhen. Organizojmë kurse të ndryshme dhe duhet të aplikojmë për subvencione, sepse Prizreni është një vend që ka shumë turistë dhe duhet ta zgjerojmë kapacitetin e punës dhe ta profesionalizojmë edhe më shumë. Në panaire ne njohim njerëz, shohim produktet tona sepse jo gjithkush ka mundësi t’i shoh”, tha ajo.   

Ndryshe, përveç këtyre tri grant-skemave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pritet të lansojë edhe tri grant-skema të reja për zhvillim të inovacionit, turizmit dhe artizanateve.

Go to TOP