Rregullohet sot, prishet nesër: Dështimi i ndriçimit publik në lagjen Halil Alidemaj
Banorët e lagjes Halil Alidemaj, në afërsi të Parkut të Qytetit, po përballen prej ditësh me mungesë të plotë të ndriçimit publik.
Sipas ankesave të qytetarëve, ndriçimi në këtë zonë rregullohet përkohësisht dhe pas pak kohe del sërish jashtë funksionit. Situata po përsëritet vazhdimisht dhe është kthyer në një problem serioz, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, kur lëvizja bëhet e pasigurt.
Lidhur me këtë çështje, Kosova.info i është drejtuar Drejtorisë së Shërbimeve Publike, duke kërkuar sqarime për arsyen e këtyre ndërprerjeve të shpeshta dhe afatin e rregullimit përfundimtar të ndriçimit.
Nga Komuna, në një përgjigje fillestare, është kërkuar që banorët t’i raportojnë problemet përmes qendrës së thirrjeve dhe që pyetjet mediatike të dërgohen përmes zyrës për media. Megjithatë, problemi në terren vazhdon të mbetet i pazgjidhur.
Redaksia jonë është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Komuna, e cila do të publikohet sapo të pranohet.
