Seancë e jashtëzakonshme për buxhetin e Prishtinës
151 milionë euro pritet që të jetë buxheti i kryeqytetit për vitin 2026. E propozim-vendimi për miratimin e tij, do të bëhet përmes një seance të jashtëzakonshme, të thirrur për të premten.
Bekim Salihu, analist i politikës në institutin GAP, thotë se në rast se propozim-vendimi për miratimin e buxhetit të Prishtinës nuk kalon brenda afateve ligjore, Kuvendi Komunal mund të shkojë edhe në zgjedhje.
“Komuna e Prishtinës, do të duhej ta miratonte, ose këtë Kuvend Komunal ta mblidhte në shtator të vitit 2025. Në pamundësi që të bëhet kjo, tani e bënë në shkurt. Arsyeja që e bënë tani është se deri më 1 mars në rast që nuk miratohet buxheti, Kuvendi Komunal shkon në zgjedhje, dhe për t’u ikur zgjedhjeve të KK, pra e miraton formalisht buxhetin”, tha Salihu.
Përveç kësaj, ai thotë se kjo prodhon efekte jopozitive në raport me qytetarët, qytetin e prioritetet.
“Natyrisht që kjo gjendje e tillë, do të vazhdojë te prodhojë efekte jopozitive, në raport edhe me qytetin edhe me qytetarët, po edhe në raport me prioritetet edhe projektet që i ka komuna”, tha ai.
Nga Vetëvendosje në Prishtinë, thanë shkurtimisht përmes telefonit se janë duke e trajtuar draft-buxhetin dhe se akoma nuk kanë ndonjë qëndrim rreth kësaj, derisa përmes rrjeteve sociale, kanë adresuar kritika sa i përket buxhetit.
Nga LDK në Prishtinë, po kërkojnë që ky buxhet të mbështetet nga të gjitha subjektet e tjera, pasi sipas tyre, në këtë buxhet janë të parapara investime kapitale në fusha të ndryshme.
“Kemi investime të mëdha kapitale, kemi investime në shëndetësi, arsim, sport, kulturë, mobilitet dhe vazhdimi i projekteve kapitale transformuese të Prishtinës” , tha Rafuna.
RTK, ka provuar të marrë edhe qëndrimin e PDK-së në Prishtinë, lidhur me seancën e së premtës se a do ta votojnë këtë propozim-vendim apo jo, por që nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje.
