Rohde mërzitet që po e le Kosovën: Së shpejti do t’ia kalojë topin pasardhësit tim

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili se shpejti do të përfundojë misionin e tij, ka thënë se do t`i mungojë shumë Kosova.

Në një video të postuar në rrjete sociale, ai ka treguar se çka do t`i mungojë pas largimit.

Ai ka thënë se koha e kaluar në Kosovë ka qenë e mrekullueshme.

“Pas pesë vitesh këtu, duhet të them lamtumirë dhe do të më mungojë Kosova. Jo vetëm moti, por edhe mirësjellja e njerëzve, ecjet në male. E dini, kur shikoj majtas nga Parku i Gërmisë, ku shpesh përdor biçikletën time malore, këto gjëra do të më mungojnë para se të kthehem në Berlin. Kam pasë një kohë të mrekullueshme këtu”, ka thënë ai.

Më pas, diplomati gjermani tregon sukseset dhe dështimet që ka pasur Kosova në raport me Evropën gjatë mandatit të tij.

“Kemi parë shumë zhvillime. Liberalizimi i vizave në vitin 2024 ishte një arritje e madhe. Ka gjithashtu gjëra që nuk janë realizuar, si anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës. Lidhjet mes vendeve tona janë unike. Siç e dini, 600 mijë kosovarë ose gjermanë me prejardhje kosovare jetojnë në Gjermani. Ky numër po rritet. Dhe jam i sigurt se lidhjet tona do të vazhdojnë të rriten”, ka thënë ai, duke i uruar sukses pasardhësit të tij.

“Ne do të jemi një partner i madh i Kosovës. Kemi qenë një partner i madh që nga pavarësia. Dhe në këtë drejtim, do të doja t’ju lutesha që t’ia zgjasni mirësinë dhe miqësinë tuaj edhe pasardhësit tim, Rainer Rudolph, i cili do të mbërrijë këtu së shpejti”, është shprehur ai.

Rohde, i cili njihet si fans i futbollit, në fund të videos ka bërë një veprim interesant.

“Dhe, për të qëndruar në gjuhën e futbollit, unë së shpejti do t’ia kaloj topin pasardhësit tim, Rainer Rudolph”, ka thënë diplomati gjerman.


Go to TOP