Rizvanolli dhe FMN diskutojnë zhvillimin e projekteve konkurruese për energji të erës prej 150 MW

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli mirëpriti në takim shefin e misionit të FMN-së në Kosovë, David Amaglobeli me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që po vizitojnë Kosovën, në kuadër të vlerësimit vjetor për Artikullin IV.

Ky mision synon të vlerësojë zhvillimet ekonomike të Kosovës dhe përpjekjet për rritje të qëndrueshme dhe inkluzive ekonomike.

Gjatë këtij takimi, delegacioni i FMN-së dhe Ministrja Artane Rizvanolli diskutuan përparimin në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Një ndër temat kryesore të diskutuara ishte përparimi në projektet konkurruese prej 150 MW për energjinë nga era, të cilat janë duke u dizajnuar nga Ministria e Ekonomisë me mbështetje të USAID-it dhe me IFC-në si këshilltar kryesor të transakcionit.

Ministrja Rizvanolli informoi delegacionin mbi progresin në dizajnimin e projekteve konkurruese të energjisë nga era, të cilat synojnë të promovojnë investime të qëndrueshme në këtë sektor me potencial të lartë për Kosovën.

Këto projekte konkurruese do të bashkëfinancohen nga Qeveria e Kosovës përmes fondeve të mundësuara nga marrëveshja e fundit me FMN për një program mbështetës, që synon përmirësimin e infrastrukturës së gjelbër dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit. /Kosova.info/

Go to TOP