Rifillon seanca e Kuvendit, PDK kërkon të ndërpritet sërish

Pas pauzës njëorëshe, seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës rifilloi në orën 13:00.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, kërkoi që kjo seancë të ndërpritet sërish, deri në arritjen e një zgjidhjeje për veteranët.

Ai kërkoi që veteranët të ftohen për konsultim nga Qeveria Kurti.

“Padrejtësia duhet të përmirësohet. Ne do të mundohemi të jemi konstruktiv. Ju kemi kërkuar që të mos jenë shkak veteranët për përplasjet tona. Për hatër të atyre që po qëndrojnë jashtë në këto temperatura të larta, duhet që kjo seancë të ndërpritet dhe t’i ftojmë përfaqësuesit e veteranëve për konsultim”, tha Tahiri.

Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbajnë sot protestë gjithëpopullore para Kuvendit, në shenjë pakënaqësie për miratimin e Ligjit për pagën minimale dhe mospërfshirjen e tyre.

Go to TOP