Rexhepi: Serbia në Luginë po zbaton gjenocid modern
Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, lidhur me Raportin e Parlamentit Evropian për Serbinë, ku është shënjestruar kritika në lidhje me të drejtat e nëpërkëmbura të shqiptarëve në Luginë të Preshevë, tha se e kam pritur me vëmendje të veçantë, duke e konsideruar këtë raport si një alarm. Ai tha se Serbia po zbaton gjenocid modern.
Ai tha se këtë alarm të ngritur nga Parlamenti Evropian është paralajmëruar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Rexhepi në RTK vuri në dukje se ndër shqetësimet që ka vënë në pah ky këshill është diskriminimi i shqiptarëve të Luginës, duke qenë si ndër popujt më të diskriminuar në Evropë, derisa, sipas tij, serbët në Kosovë janë të mbiprivilegjuar.
Ai duke përshëndetur Parlamentin Evropian dhe raportuesin e PE për Serbinë, Tonino, për raportin kundrejt Serbisë, bëri të ditur qasjen e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës në pasivizimin e adresave.
“Serbia po vazhdon të zbatojë politikën e Millosheviqit, por me metoda të tjera, si një gjenocid modern”, tha Rexhepi, teksa vuri në dukje se në Medvegjë po zbatohet gjenocid i pastër duke ua shlyer adresat e vendbanimeve të shqiptarëve atje nga regjistri civil.
