LDK nis zyrtarisht përgatitjet për Zgjedhjet Lokale 2025, Abdixhiku: Synojmë përfaqësim dinjitoz në çdo komunë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar nisjen zyrtare të fazës së parë të konsultimeve dhe përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025. Në një takim me kryetarët e degëve të LDK-së, Abdixhiku theksoi rëndësinë e një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash dhe asamblistë.
“Synimi ynë është të identifikojmë njerëz me integritet, aftësi profesionale dhe gatishmëri për të kontribuar me dinjitet në shërbim të qytetarëve, në çdo cep të vendit,” u shpreh Abdixhiku.
Ai ftoi të gjithë qytetarët që ndajnë vlerat dhe vizionin e LDK-së, si dhe kanë vullnetin për të përfaqësuar me përgjegjësi komunat e tyre, të bëhen pjesë aktive e këtij procesi.
LDK, si partia fituese e zgjedhjeve të fundit lokale me përgjegjësi qeverisëse në nëntë komuna dhe 206 këshilltarë lokalë, hyn në këtë proces me përkushtim të plotë dhe besim në fuqinë e saj përfaqësuese. Abdixhiku e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt fitoreve të reja dhe përfaqësimit të dinjitetshëm në çdo komunë të Kosovës.
“LDK mbetet shtëpi e vlerave të qëndrueshme dhe vizionit të qartë për zhvillimin e komunave. Na priftë e mbara!,” përfundoi ai. /Kosova.info/
