Rexhepi merr pjesë në takimin e kryetarëve të gjykatave supreme të BE-së

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Fejzullah Rexhepi, i shoqëruar nga drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkëlzen Maliqi, po marrin pjesë në takimin e Rrjetit të kryetarëve të Gjykatave Supreme të Bashkimit Evropian, i cili po mbahet në Hagë të Holandës.

Në njoftim thuhet se në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, e cila organizohet nga Gjykata Supreme e Holandës, po diskutohet për temat që lidhen me rolin e gjykatave supreme në forcimin e sundimit të ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

“Kryetari Rexhepi është ftuar në këtë takim, nga kryetari i Rrjetit të kryetarëve të Gjykatave Supreme të Bashkimit Evropian, Anders Eka, në vijimësi të bashkëpunimit institucional, pasi paraprakisht, Gjykata Supreme e Kosovës ka paraqitur kërkesë zyrtare për fitimin e statusit të vëzhguesit në këtë Rrjet”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ky hap pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të Gjykatës Supreme për forcimin e sundimit të ligjit, harmonizimin me vlerat dhe standardet evropiane, si dhe avancimin e transparencës dhe integritetit në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Përmes pjesëmarrjes në këtë Rrjet, Gjykata Supreme e Kosovës synon të përfitojë nga praktikat më të mira evropiane dhe të kontribuojë në shkëmbimin e përvojave gjyqësore, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë në vend.


Go to TOP