Fillojnë punimet për projektin e ri të ujësjellësit `Gjakova III`

Nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Flamur Fetahaj, së bashku me drejtorin për Shërbime Publike, Nikollë Lleshi, morën pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për projektin e ri të ujësjellësit “Gjakova III”.

Ky investim i KRU “Gjakova”, i bashkëfinancuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Komuna e Gjakovës (që ka ndarë 250,000 €), synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për pjesën veriore të qytetit, ku banorët përballen me shtypje të ulët të ujit.

“Në Komunë do të vazhdojmë të mbështesim projekte që rrisin mirëqenien e qytetarëve,” tha nënkryetari Fetahaj.

Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Gjakova”, Hasan Kransiqi, shtoi se zgjerimi i infrastrukturës është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur rritjes së kërkesave të banorëve dhe do të eliminojë problemin e shtypjes së ulët të ujësjellësit.

“Ky projekt do të sjellë një përmirësim të prekshëm në furnizimin me ujë dhe në cilësinë e jetës së banorëve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjakovës. 


Go to TOP