Rexhepi: Konkurrenca po i analizion detajet e arsyet e ngritjes së çmimeve

Albion Rexhepi nga Autoriteti i Konkurrencës, pas shqetësimeve qytetarëve për ngritjen e çmimeve të shportës bazë, theksoi se janë rreth mbi 20 produkte të ndryshme që Autoriteti është duke i analizuar detajet dhe arsyet e ngritjes së çmimeve të tyre e që, sipas tij, bëhet fjalë për disa produkte bazë siç janë mielli, krypa, sheqeri, vaji, kafeja dhe disa produkte të tjera.

Rexhepi tha në “Info Plus” në RTK se në Kosovë, pas paralajmërimit për ngritje të çmimit të rrymës, kanë filluar edhe ngritjet e produkteve të tjera.

Por, sipas tij, nuk është e arsyeshme që me paralajmërim të ngritjes rrymës të fillojnë të shtrenjtohen produktet e tjera sepse rryma nga nesër do të fillojë me ngritje e nuk ka filluar nga java e kaluar.

Ndër të tjera, ai tha se nga ana e qytetarëve kanë pasur volum të ankesave në emaile.

“Duhet theksuar se Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mandat për të rregulluar apo ulur çmimet. Ne kemi mandat vetëm nëse gjejmë ndërmarrje ekonomike të cilat merren vesh për një çmim të një produkti, atëherë ne kemi mandat për të ndërhyrë”, shtoi ai.

Po ashtu, tha se “qysh në muajin e kaluar kemi filluar të mbledhim informata dhe kemi pranuar ankesa të ndryshme për ngritje të çmimeve, menjëherë kemi filluar ta bëjmë analizën”.


Go to TOP