Reshjet e shiut/ A ka rrezik për vërshime në Skenderaj? Flet kryetari i kësaj komune, Fadil Nura

Kosova është duke u përballuar me reshje të vazhdueshme të shiut tash e disa ditë.

Po në rast se mund të ketë vërshime, qytetet më të rrezikuara momentalisht janë Mitrovica dhe Skenderaj.

Kjo pasi në janar të këtij viti këto dy qytete janë përballuar më vërshime të mëdha, pas reshjeve të shiut.

Për situatën aktuale në Skenderaj, Front Online ka kontaktuar kryetarin e këtij qytetari, Fadil Nurën.

Ai tha për Front Online se kapacitetet e komunës të cilën e drejton për të parandaluar fatkeqësi, janë të limituara.

Nura thotë se gjatë këtyre ditëve disa toka bujqësore janë prekur nga reshjet e shiut, por pa dëme të mëdha.

Kreu i Skenderajt, tha se situata në Skenderaj momentalisht nuk është shqetësuese.

“Momentalisht nuk është shqetësuese dhe jemi duke e monitoruar situatën përveç disa toka bujqësore që janë prekur nga reshjet por pa dëme të mëdha. Asnjë komunë nuk i ka kapacitetet nëse ndodh një vërshim si në janar e as komuna jonë nuk i ka kapacitet e duhura, por atë që po e shohim deri tash nuk është shumë shqetësuese, por jemi duke e monitoruar situatën. Nuk ka reshje të mëdha të daljes së shtratit apo diçka më të madhe nuk është situata në rrezik njëherë, presim gjatë ditës se sa ka reshje të shiut”, thotë Nura.

Ndryshe, të enjten e 19 janarit komuna e Skenderajt pati shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas situatës së rënduar nga vërshimet.

Komunat më të prekura nga reshjet e shiut në Kosovë kanë qenë: Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu dhe Podujeva, shkruan Front Online.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se duke filluar nga sot, pritet që të ketë reshje në intervale të ndryshme duke përfshirë pjesën më të madhe të vendit.

“Në disa zona ato do të jenë më intensive të cilat mund të krijojnë vërshime të shpejta, të karakterit lokal, sidomos në lumenjtë me karakter të rrëkeve, të cilat zbresin prej viseve malore, ku si pasojë do të ketë tejkalim të kapaciteteve transportuese të tyre dhe mundësi të paraqitjes së vështirësive në sistemet e kanalizimeve, shembje të dheut, probleme në komunikacion, bujqësi etj”, thuhet në njoftim.

Sipas IHMK-së, zonat ku rrezikohen nga përmbytjet janë zonat veriore dhe ajo jugore. Tek pjesa veriore, rrezikohen Mitrovica dhe Skenderaj, ku janë edhe lumi Ibër, Sitnica dhe ai i Drenicës, ku ka pasur përmbytje së fundmi.

IHMK paralajmëron përmbytje edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

“Nga këto prognoza fillimisht meteorologjike me reshje e pastaj hidrologjike me mundësi vërshime në interval afatshkurtër nga shiu, parashihet që të kenë ndikim sidomos në:

– Pjesa veriore: Pellgu i Ibrit (Sistemet lumore të: Ibrit, Sitnicës Llapit, Drenica etj.) ku Probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 20-vjeçare: është 20 % ndërsa 5-vjeçare: 24 %.

– Ndërsa pjesa Perëndimore, jugore dhe lindore (Pellgu i Drinit të Bardhë, Lepencit dhe Moravës së Binçës), parashikohet një probabiliteti për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 5-vjeçare, gjegjësisht sasi më e vogël e reshjeve”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Go to TOP