Rënia e Euros – “Këtë verë do t’u kërkojmë më pak laptopë e telefona familjarëve nga SHBA”

Për herë të parë në 20 vjet 1 euro është e barabartë me 1 dollar.

Euro është duke shënuar rënie të shpejtë të vlerës. Që nga fillimviti ka rënë për 12 për qind. Trendi i rritjes së dollarit kërcënon të dëmtojë kompanitë amerikane sepse mallrat e tyre bëhen më të shtrenjta për blerësit e huaj. Nëse eksportet e SHBA-së do të dobësoheshin si rezultat i kësaj, po ashtu do të dobësohej edhe ekonomia tashmë e ngadalësuar e SHBA-së.

Për këtë ka shkruar edhe analisti kosovar, Agon Maliqi, i cili tha se tashmë më pak njerëzve që vijnë nga SHBA do t’u kërkohet që të bartin laptopë e telefona.

“Më pak njerëzve që udhëtojnë nga SHBA në Europë do t’u lypet që të transportojnë laptopë dhe telefona të mençur te miqtë dhe familjarët këtë verë”, ka shkruar ai.

Megjithatë, ka edhe një anë pozitive për amerikanët: Një para më e fortë siguron lehtësim modest nga inflacioni, sepse mallrat e shumta që importohen në SHBA – nga makinat e kompjuterët te lodrat e  pajisjet mjekësore – bëhen më pak të shtrenjta. Një dollar i forcuar ofron gjithashtu përfitime për turistët amerikanë që vizitojnë bukuritë në Europë, nga Amsterdami në Athinë.


Go to TOP