Reagime për emërimin në krye të ATK-së: Kapje e institucioneve dhe shkelje ligjore

Emërimi i një ish-kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në krye të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ka nxitur reagime të forta nga analistë dhe shoqëria civile, të cilët e konsiderojnë këtë veprim si shembull tipik të kapjes së institucioneve publike dhe shkeljes së kufizimeve ligjore për një qeveri në detyrë.

Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe LVV-në duke thënë se po vendosin figura politike në poste ku kërkohet pavarësi dhe profesionalizëm.

Sipas tij, kjo parti ka përsëritur të gjitha praktikat e këqija që dikur i ka luftuar duke humbur besimin, kredibilitetin dhe “rrugën” e saj politike.

Ai theksoi se një qeveri kujdestare nuk duhet të ndërmarrë veprime të mëdha apo emërime të tilla.

Nga ana tjetër, analisti i KDI-së, Eugen Cakolli, e ka cilësuar këtë vendim si hap të rrezikshëm për shndërrimin e ATK-së në një instrument politik për ushtrimin e presioneve të caktuara.

Ai paralajmëroi se ky veprim përbën vazhdimësi të shkeljes së kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë dhe mosrespektim të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Supreme, që lidhej me Ministrin e Financave. /Kosova.info/


Go to TOP