Rama: Qeveria po ndalon paligjshëm transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”, nuk ndalet zhvillimi i Prishtinës
Zyra për Komunikim e Kryeqytetit ka njoftuar se sot, në një konferencë për media të mbajtur në sheshin “Xhorxh Bush”, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur shqetësimin e tij për ndalimin e punimeve në këtë zonë nga institucionet qendrore.
Rama e cilësoi ndërhyrjen si një veprim të paligjshëm dhe të qëllimshëm, që sipas tij synon të pengojë zhvillimin urban dhe kulturor të Kryeqytetit. “Për herë të dytë, Qeveria Qendrore ka ndërprerë punimet në një projekt që synon transformimin e kësaj hapësire në shërbim të qytetarëve. Arsyetimet janë të pabazuara dhe joligjore nga institucione që duhet të jenë të pavarura, por që po përdoren për qëllime politike,” u shpreh ai.
Sipas Kryetarit, projekti për sheshin “Xhorxh Bush” është konceptuar për modernizimin e hapësirës publike, me synim integrimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore si pjesë e identitetit dhe zhvillimit ekonomik të qytetit.
Rama po ashtu kritikoi Ministrinë për mungesë të gatishmërisë për debat publik dhe transparencë duke shtuar se “nuk ka pasur vullnet nga Ministri për t’u përballur me të vërtetat para qytetarëve”.
Ai përfundoi duke theksuar se Kryeqyteti nuk do të ndalet: “Kryeqyteti do të vazhdojë të mbrojë të drejtën për zhvillim dhe do të vazhdojë me procedura ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin ligjin.” /Kosova.info/
