Përkujtohen heronjtë e Brigadës 138 “Agim Ramadani”
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe luftëtari i Koshares, Fadil Hadergjonaj Bjeshka, ka bërë ftesë publike për pjesëmarrje në manifestimin përkujtimor që do të mbahet nesër, më 19 prill, në kuadër të “Ditëve të Shqipes – 2025”.
Ky aktivitet i veçantë do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:30, dhe i kushtohet Ditës së Veteranëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në përkujtim të 26-vjetorit të rënies heroike të komandantit dhe strategut të luftës çlirimtare, Sali Çekaj – Veterani, si dhe 12 dëshmorëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës: Shefqet Mustafaj, Afrim Stajku, Aziz Gashi, Bejtë Kajdomqaj, Fatos Limani, Fisnik Ibrahimi, Hysni Temaj, Ilir Hoxha, Izet Morina, Leonard Palucaj, Luan Gashi dhe Mejdi Korrani.
Në ftesën e tij, Hadergjonaj thekson se pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë një akt nderimi për veprën dhe sakrificën e këtyre heronjve që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.
“Lavdi heronjve të rënë në luftën për çlirimin e Kosovës! Nderim familjarëve dhe bashkëluftëtarëve!”, përfundon ai. /Kosova.info/
