Hooker: Biseduam për marrëdhëniet e ngushta që lidhin SHBA-në dhe Shqipërinë
Nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA-së, Allison Hooker ka reaguar në rrjetin social “X” pas takimit të zhvilluar me ministrin shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Hooker tha se me kryediplomatin shqiptar biseduan për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Sipas saj, ata kanë ndarë mendime edhe për forcimin më tej të këtyre marrëdhënieve në funksion të sigurisë së përbashët.
“Ishte një kënaqësi të takohesha sot me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha. Biseduam për marrëdhëniet e ngushta që lidhin Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë si dhe për mundësitë për të forcuar më tej sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët”, thekson Hooker.
Hoxha mori pjesë në Ministerialin mbi rikthimin e terrorizmit politik, të thirrur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në Uashington.
