Rama: Nga Qeveria e re pres bashkëpunim e jo sabotim për Prishtinën

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se mbështetja e qytetarëve për një mandat të dytë përbën një konfirmim për të vazhduar projektet e premtuara katër vjet më parë, duke shtuar se, përkundër sfidave dhe konkurrencës së fortë, qytetarët kanë vlerësuar vizionin afatgjatë dhe projektet madhore të administratës së tij.

“Po unë i falënderoj qytetarët e kryeqytetit që ma kanë dhënë mundësinë për me vazhdu transformimin e kryeqytetit” -tha ai për Ekonomia Online.

Ai theksoi se në qendër të këtij mandati do të jenë projektet që vendosin qytetarin të parin, duke përmendur reformat në transportin urban, investimet në arsim.

“Po ato të cilat i kemi premtu, të cilat janë transformuese që e qesin qytetarin të parin. Pra e keni parë që ne kemi bërë reforma të mëdha në transportin urban, në edukim e në aspektin e infrastrukturës jemi në vazhdimësi pra platforma e cila ndërlidh pallatin me Arbërinë që i mundëson më shumë se 30 mijë banorëve që të kenë qasje të drejtpërdrejtë në zonat qendrore të Prishtinës. Pjesë tjera sheshi “Xhorxh Bush” tash vazhdimin deri te xhamia e madhe, unazën e kryeqytetit e cila jetike për kryeqytetin. Pra pa unazën e kryeqytetit edhe nuk mundet edhe me u bërë zgjidhja në kryeqytet. Këto janë projekte madhore të cilat do t’i vazhdojmë dhe të ecim përpara, po ashtu vazhdimin e rrugës “A” në pjesën lindore dhe perëndimore, e cila do të ndërlidhet me unazën e kryeqytetit. Janë të gjitha procese transformuese që i ndihmojnë problemit kyç që e kemi, pra trafikut. Me zgjidhjen e këtij problemi normal që ka impakt pozitiv edhe në cilësinë e ajrit në Prishtinë e po ashtu edhe në vlerën shoqërore në gjithë kryeqytetin. Këto janë ato projektet madhore të cilat ne po i shtymë përpara përveç ndërtimin e shkollave që tsh janë prej 10 shkollave që kemi fillu, 3 kanë përfundu dhe 7 janë proces e sipër, përgatitjet për lojërat mesdhetare pra i kemi lojërat mesdhetare të vitit 2030 të cilat edhe kërkojnë infrastrukturë shtesë sportive me stadiumin e ri, me arenën multifunksionale të cilat janë pjesë e masterplanit të fshatit olimpik që tash e kemi të gatshëm vetëm se tash duhet mi fillu ndërtimin e këtyre objekteve. Pra gjitha këto janë procese madhore që jemi tash duke i shty përpara”, tha ai.

Rama theksoi se unaza e kryeqytetit është projekti më jetik për Prishtinën, pasi do të mundësojë decentralizimin e hyrjeve në qytet dhe do të shmangë kalimin e trafikut tranzit përmes qendrës.

Në raport me bashkëpunimin me Qeverinë e re e cila do të formohet, Rama tha se kryeqyteti duhet të trajtohet me seriozitet të veçantë, duke pasur parasysh kontributin e tij në buxhetin e përgjithshëm të vendit.

“Po unë kam thënë edhe vazhdoj të them që qeveria çfarëdo që ajo të jetë duhet të reflektojë edhe duhet ta dijë që kryeqyteti nuk është vetëm një komunë tjetër. Kryeqyteti është në aspektin ekonomik paguan 49.8% të buxhetit të gjithë Kosovës edhe si rezultat duhet mu trajtu me seriozitet. Projektet të cilat ne i kemi prezantu para 4 viteve si unazën e Prishtinës, janë projekte të cilat janë të mira për gjithë vendin e jo vetëm për kryeqytetin edhe gjithë pjesëtarëve e gjitha partive dhe nuk është çështje e imja personale apo e dikujt por është për të mirën e kryeqytetit. Prandaj prap uroj të reflektoj çfarëdo qeverie që do të kemi tash të krijuar të jetë bashkëpunuese me Prishtinën edhe sepse bashkë mundemi më bë gjëra të mira dhe të mëdha, gjëra të cilat janë për të mirën e secilit e jo të bllokojnë. Pra vet kanë thënë gjatë kampanjës mjaft bllokade si të fitojmë ne do të vazhdojmë brenda muajsh me unazën e Kryeqytetit edhe do të vazhdojmë dhe pajtohemi që duhet dhe se nuk bën bllokada, bashkëpunojmë dhe e ndërtojmë unazën e kryeqytetit e të gjitha projektet tjera madhore si spitalin, fshatin olimpik e një mori projektesh të tjera që i duhen kryeqytetit e që tash i kemi të gatshme si projekte. Pra nuk jemi në atë fazën e para 4 vitesh ku qyteti ka qenë në rënie të lirë duke u zhbërë i tëri, tash qyteti e ka një vizion të qartë, ka projekte të gatshme e shumë prej tyre që kanë përfundua dhe shumë prej tyre janë në përfundim e sipër e shumë tjera që i kemi të gatshme për me fillu e mi zbatu 4 vitet e ardhshme. Pra nëse kemi një reflektim politik edhe një ndryshim mendësie, jo sabotimi e bllokade por prozhvillimit e bashkëpunimit nuk kam dyshim që kryeqyteti do të lulëzoj dhe jo vetëm kryeqyteti por i gjithë vendi”, tha ai.

“Po shpresoj që po sepse e kanë pa që ajo qasje është dënu nga qytetarët e kryeqytetit po edhe po them se unë jam i rizgjedhur si kryetar përkundër sfidave të shumta bllokadave të projekteve, bllokadave të buxhetit e të gjitha këto kanë qenë tentativa për me qit menaxhmentin tonë keq por ja që nuk ja kanë dal sepse kemi tregu proceset në mënyrë super transparente me fakte që kjo po ndodh dhe shpresoj që mos të ndodh më. Kjo është naive, është një mendësi i mbrapsht dhe uroj që secili politikan të reflektoj mos të mendoj në atë mënyrë bllokuese sabotuese sepse pikë së pari i bëjnë dëm vetit nëse mendoj negativisht, impakti negativ është në mirëqenien e tyre psikologjike e fizike. Ta shfrytëzojnë mundësinë që e kanë si të zgjedhur nga populli për me bashkëpunu e punu e jo me sabotu e blloku. Besoj se do të ketë reflektim sepse shoqëria ashtu ngritët, mësojmë për fat të keq prej gabimeve, jo prej gabimeve tona jo prej gabimeve të tjerëve por kemi tash një mori informatash gjatë gjithë këtyre proceseve që të gjithë mundemi me mësu e me reflektu dhe të punojmë së bashku për të mirën e vendit tonë”, tha ai.


Go to TOP