NATO-KFOR dhuron pajisje veterinare për Veterinaria në Mitrovicë
DMV. Blendor Kadriu, ka falënderuar NATO-KFOR, në veçanti kolonelin Bradley Fields, për donacionin e pajisjeve veterinare të dhuruara për ambulancën veterinare “Veterinaria” në Mitrovicë.
Sipas Kadriut, donacioni përfshin një tavolinë kirurgjikale veterinare dhe sete instrumentesh kirurgjikale, të cilat do të rrisin kapacitetet e institucionit dhe do të mundësojnë ofrimin e shërbimeve edhe më cilësore për kafshët që kanë nevojë për trajtim.
Ai shprehu mirënjohje edhe për Certifikatën e Mirënjohjes të ndarë nga NATO-KFOR duke theksuar se ky vlerësim është një motiv shtesë për të vazhduar punën me përkushtim.
Kadriu theksoi se bashkëpunime të tilla dëshmojnë se partneriteti dhe vullneti i mirë sjellin përfitime konkrete për mirëqenien e kafshëve dhe komunitetin duke shprehur shpresën që bashkëpunimi me NATO-KFOR të vazhdojë edhe në të ardhmen. /Kosova.info/
