Rafuna takoi Loperfido: Theksohet rëndësia strategjike e Triestes dhe ftohet në Forumin Ekonomik Brezovica
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës dhe Kryetar i Bordit të Forumit Investiv të Odave të Ballkanit, z. Lulzim Rafuna, dhe Sekretari i Përgjithshëm, David Piegazki, kanë zhvilluar një takim zyrtar me Sekretarin për Punë të Jashtme të Italisë, Emanuele Loperfido.
Gjatë takimit, u diskutua për të ardhmen e bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën.
Z. Emanuele theksoi se vetë fakti që selia e WB6 CIF ndodhet në Trieste përbën një përparësi të rëndësishme strategjike. Palët konfirmuan angazhimin e përbashkët për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe për të forcuar marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Italisë dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Forumi Investiv i Odave të Ballkanit Perëndimor beson fuqishëm se vetëm përmes partneriteteve të forta mund të krijohen mundësi të reja dhe Ballkani Perëndimor të avancojë si pjesë thelbësore e Evropës.
Kryetari Rafuna e njoftoi dhe ftoi z. Emanuele që në nëntor të këtij viti të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Brezovica, për të mësuar më shumë për mundësitë e investimit në Kosovë, por edhe në Ballkanin Perëndimor. /Kosova.info/
