Qytetarët kërkojnë pagesë me kartelë për biletën mujore të transportit urban në Prishtinë
Mentori nga Prishtina, një përdorues i rregullt i transportit publik dhe i biletës mujore të integruar, është përballur me vështirësi gjatë tentativës për të vazhduar abonimin e tij. Ai kishte synuar të paguante me kartelë bankare, por punëtori në sportel i kishte thënë se pagesa mund të bëhet vetëm në para të gatshme.
Kur Mentori i sugjeroi që për qytetarët do të ishte më mirë të mundësohej pagesa me kartelë, punëtori ia ktheu: “Është më e sigurt për ne.”
Ndërkohë, një qytetar tjetër, Bekimi, ngre një shqetësim të ngjashëm: “Kur kemi biletë elektronike, pse të mos kemi edhe mujore?”
Qytetarët shprehen se çmimi aktual prej 13.50 euro për biletën mujore të integruar është i arsyeshëm dhe i përballueshëm, por kërkojnë që ky shërbim të modernizohet dhe t’u mundësohet pagesa me kartelë, si një mënyrë më praktike, më transparente dhe më e sigurt. /Kosova.info/
