QKUK nis hetim për rastin në Pediatri, suspendohen disa punëtorë
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka pranuar me seriozitet shqetësimet e ngritura publikisht lidhur me përvojën e një familjeje, rasti i Aulona Memeti gjatë trajtimit të fëmijës së tyre në Klinikën e Pediatrisë.
Për këtë arsye, drejtori i QKUK-së ka marrë vendim për formimin e një komisioni ad-hoc, i cili po zhvillon një hetim të plotë administrativ për të verifikuar të gjitha rrethanat e rastit.
“Hetimi do të përfshijë shqyrtimin e pretendimeve lidhur me trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe çdo lëshim eventual, nga ato menaxheriale deri te ato teknike. Sa u përket parregullsive të konstatuara menjëherë gjatë verifikimeve të kryera nga QKUK, përfshirë ato që pasqyrohen edhe në fotografitë e publikuara, janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin hierarkik menaxherial, si dhe është suspenduar përkohësisht punëtori i shërbimeve teknike”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, më tej thuhet se për të mundësuar zhvillimin e paanshëm të hetimit administrativ lidhur me pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, janë ndërmarrë masa të përkohshme administrative ndaj katër infermierëve.
Në fund thuhet se pas përfundimit të hetimit administrativ, QKUK do ta informojë publikun për gjetjet e komisionit, si dhe për masat që do të ndërmerren, me synim forcimin dhe ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike shëndetësore.
Qytetarja Aulona Memeti, dje dhe sot ka ngritur shqetësime të shumta për kushtet në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po trajtohet djali i saj dyvjeçar, duke pretenduar se është përballur me mungesë të kushteve bazike, probleme në organizimin e repartit dhe, më pas, edhe me presion pas publikimit të reagimit të saj në rrjetet sociale.
Në një reagim, Memeti tha se djali i saj u shtrua në Pediatri pas disa ditësh me të vjella dhe diarre. Ajo përshkroi pritje për pranimin në repart, vështirësi gjatë vendosjes së kanilës, si dhe mungesë të dhomave të përshtatshme për izolimin e pacientëve.
Sipas saj, familjes iu tha të vendosej në një dhomë ku ndodhej një pacient me fruth, me këshillën që të shmangej kontakti, pasi nuk kishte hapësirë tjetër në dispozicion.
Memeti kritikoi edhe kushtet fizike në repart, duke pretenduar se shtrati kishte njolla, se nuk kishte çarçafë të pastër, sapun apo mjete të tjera bazike higjienike, ndërsa tualetet nuk ofronin privatësi elementare.
Ajo theksoi se nuk kërkon luks, por kushte minimale për trajtimin e fëmijëve, duke përmendur pastërtinë, higjienën, kontrollin e infeksioneve dhe komunikimin profesional me prindërit.
Në një reagim të dytë, Memeti pretendoi se pas publikimit të statusit është përballur me presion nga stafi i institucionit.
Sipas saj, mbrëmjen e së dielës, rreth orës 23:30, është vizituar në dhomën ku po qëndronte me djalin dhe i është kërkuar të verifikojë ato që kishte shkruar. Ajo tha se një vizitë e dytë ka ndodhur të hënën rreth orës 10:30, kur, sipas saj, i është thënë se pretendimet e saj janë të pasakta dhe i është kërkuar të hartojë një raport për rastin deri në orën 11:00.
Memeti deklaroi se nuk refuzon ta ndjekë rrugën institucionale për paraqitjen e ankesës, por theksoi se prioriteti i saj aktual mbetet trajtimi i djalit.
Ajo shtoi se fotografitë e publikuara flasin vetë për gjendjen në repart dhe se problemet e evidentuara nuk duhet të presin ankesën e një prindi për t’u adresuar.
“Dua ta mbështesim shëndetësinë publike, por pikërisht sepse është e jona, duhet edhe të kërkojmë llogari për të. Pa frikë”, shkroi ajo. /Kosova.info/
