KOMF ngre shqetësime për kujdesin shëndetësor të fëmijëve: Kërkohen masa urgjente nga institucionet
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësime për sfidat me të cilat përballen fëmijët në qasjen dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Kosovë duke kërkuar nga institucionet masa urgjente për përmirësimin e gjendjes.
Sipas KOMF, edhe pse e drejta e fëmijëve për kujdes shëndetësor falas është e garantuar me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, në praktikë vazhdojnë të evidentohen probleme serioze në ofrimin e shërbimeve.
Bazuar në hulumtimin e realizuar nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit dhe atë të Gjilanit, pacientët e reparteve të pediatrisë kanë shfaqur nivel më të ulët të kënaqshmërisë krahasuar me repartet e tjera. Faktorët kryesorë lidhen me qasjen ndaj pacientëve, cilësinë e shërbimeve mjekësore dhe infermierore, kushtet infrastrukturore, higjienën, furnizimin me barna dhe cilësinë e ushqimit.
KOMF thekson se mungesa e personelit shëndetësor dhe mbingarkesa vazhdojnë të jenë ndër problemet kryesore në kujdesin pediatrik. Klinika e Pediatrisë në QKUK, sipas tyre, vazhdon të funksionojë me kapacitete të kufizuara, ndërsa numri i stafit nuk përputhet me nevojat dhe numrin e pacientëve fëmijë.
Megjithëse funksionalizimi i Spitalit të ri Kirurgjik Pediatrik ka sjellë përmirësime në disa fusha, KOMF vlerëson se një pjesë e shërbimeve pediatrike ende ofrohen në objektin e vjetër të Klinikës së Pediatrisë, i cili nuk i plotëson standardet për një kujdes shëndetësor cilësor dhe dinjitoz për fëmijët.
Një tjetër shqetësim i ngritur është mungesa e barnave dhe materialeve shpenzuese në nivele të ndryshme të kujdesit shëndetësor. Sipas KOMF, prindërit shpesh detyrohen t’i blejnë me shpenzimet e tyre edhe barnat që gjenden në Listën Esenciale duke krijuar barrë financiare dhe duke cenuar parimin e qasjes së barabartë në shërbime shëndetësore.
KOMF kritikon gjithashtu mungesën e një sistemi të rregullt për matjen e kënaqshmërisë së pacientëve duke theksuar se përvojat e fëmijëve dhe prindërve duhet të shërbejnë si bazë për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.
“Është e domosdoshme që institucionet shëndetësore të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e kushteve, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe garantimin e shërbimeve cilësore me në qendër fëmijën”, thuhet në komunikatën e KOMF.
Koalicioni kërkon që zëri i prindërve dhe përvojat e pacientëve të bëhen pjesë e pandashme e vendimmarrjes në sektorin e shëndetësisë. /Kosova.info/
