Jep dorëheqje drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë

Drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë, Mimoza Bërbatovci-Ukimeraj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj, vetëm pak ditë pasi RTK publikoi një hulumtim ku u konstatua mosfunksionimi i pajisjeve mjekësore për biopsinë e veshkës, si dhe i një mikroskopi shumë të rëndësishëm për këtë klinikë.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës e ka konfirmuar dorëheqjen përmes një përgjigjeje me shkrim, duke bërë të ditur përmes zëdhënëses Mirlinda Qyqalla se kërkesa është në procedurë administrative dhe po trajtohet sipas rregullave në fuqi.

Burime të RTK-së bëjnë të ditur se dorëheqja është paraqitur në këtë periudhë të ndjeshme për klinikën dhe lidhet edhe me mosfunksionalizimin e këtyre pajisjeve. Megjithatë, nuk janë dhënë detaje zyrtare për arsyet konkrete të largimit.

Ndërkohë, në QKUK nuk janë përgjigjur as nëse largimi i Ukimerajt lidhet me rastin e pajisjeve të raportuara më herët.

Go to TOP