QIKA në aksion simbolik, kërkon heqjen e taksës për pecetat menstruale

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, ka zhvilluar një aksion para objektit të qeverisë së Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, heqjen e taksës për pecetat menstruale.

Përmes një komunikate bëhet e ditur se Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion, nëpërmjet një aksioni simbolik ka kërkuar që produktet menstruale t’i nënshtrohen normës së ulur të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe që të lirohen nga tatimi doganor.

“Simbolikisht, ia sollëm 7.500 nënshkrimet e peticionit “Peceta nuk është luks” , si dhe vendimin të cilin Murati do të duhej të kishte vetë guximin dhe vullnetin që ta hartonte. Taksimi i produkteve menstruale është seksist. Shteti po takson funksionimin normal fiziologjik të grave dhe të gjithë personave që menstruojnë. Menstruacionet nuk janë zgjedhje, as higjiena menstruale nuk është luks, e si të tilla nuk mund te taksohen”.

Pasojat ekonomike të këtij taksimi, sipas QIKA-s, prekin drejtpërdrejtë gratë, e sidomos ato nga familjet e varfra të cilat janë veçanërisht të goditura.

“Përkundër kërkesave të aktivisteve feministe për heqjen e taksës, Murati nuk e tha as edhe një fjalë në publik për këtë çështje. Ministër, nuk mund të qëndrosh indiferent dhe të mos flasësh mbi varfërinë menstruale. Ajo ekziston”, thuhet në komunikatë.

QIKA beson se taksa e cila thellon pabarazitë gjinore ekzistuese është antikushtetuese dhe e kundërligjshme, andaj duhet të largohet menjëherë.

“Arsyetimin politik, bazën ligjore, lapsin… të gjitha i ke këtu. Ministër merre guximin e dil nënshkruaje vendimin! Qasja në produkte menstruale është e drejtë bazike, jo privilegj”, përfundon komunikata. /Kosova.info/

Go to TOP