Prokuroria njoftoi se Bedri Rexhepi ishte vrarë, reagon vëllai i viktimës

Prokuroria Themelore në Prishtinë, departamenti për Krime të Rënda ka njoftuar sot se biznesmeni Bedri Rexhepi që ishte i zhdukur që nga 8 prilli 2021 është vrarë.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti ka njoftuar se mbetjet mortore të gjetura ditë më parë në rajonin e Novoberdës, i takojnë pikërisht Bedri Rexhepit.

Ai theksoi se lidhur me këtë tashmë janë njoftuar edhe familja e viktimës, ndërsa të arrestuarit nën dyshimin për vrasjen e Bedri Rexhepit janë dy persona.

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu janë të dyshuarit në këtë rast, ndërsa sipas prokurorisë deri tek vrasja e biznesmenit ka ardhur për 30 mijë euro.

E pas kësaj, në lidhje me rastin ka reaguar edhe vëllai i viktimës, Adnan Rexhepi.

AI ndër të tjerash ka njoftuar gjithashtu se varrimi i viktimës do të bëhet me datën 20 tetor, transmeton lajmi.net.

Postimi i plotë:

Të dashur familjar, miq dhe dashamirë!

Shpresa e lutjet që ta gjenim të gjallë vëllaun tonë na mbajtën të fortë gjatë gjithë kësaj kohe, por ja që tani na u shua çdo shpresë!

Ne këto ditë që i kaluam dhe po i kalojmë, ju falenderojmë përzemërsisht të gjithë juve që në çfarëdo forme ishit bashkë me Ne, na qëndruat afër, ofruat ndihmën tuaj që dhimbjen e mërzinë ta ndajmë së bashku.

Tani e tutje lutja jonë e vetme është që shpirti i tij të pushoj në parajsë, e drejtësia të vijë në vendin e duhur!

Ju njoftojmë se varrimi i më të dashurit tonë Bedriut do të bëhet të enjten, 20 tetor 2022, në ora 13:00 ( Me namazin e Drekës ) në varrezat e qytetit në Shtime.

Me respekt,

Familja Rexhepi.

Go to TOP