Projekti i parë në rajon për ngrohje solare, Osmani: Planifikojmë t’i mbulojmë dy lagje në Prishtinë, do të sigurohen 50 megavat

Projekti i ri i ngrohjes solare “Solar4Kosovo” për kryeqytetin, si projekt i veçantë dhe i vetmi në rajon planifikohet diku që në vitin 2027-2028 të funksionalizohet dhe të futet në operim. Ky projekt është i dyti në Evropë, pas atij në Danimarkë.

Kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Fisnik Osmani në një intervistë për Telegrafin bëri të ditur se projekti i solarëve është projekt që do t’i sigurojë Prishtinës 50 megavat të ri termik për ngrohje.

“…Mirëpo, ne po punojmë edhe në dy projekte të tjera të cilat në aspektin teorik mbërrin me furnizu Prishtinën edhe njëherë sa është kaq, p.sh dyfishimi i kapaciteteve neve na i sjell edhe 140 megavat të tjerë që nënkupton i kemi 280 megavat në sistem. 50 megavat do t’i kemi prej projektit të solarëve dhe ky pak a shumë do të jetë kapaciteti termik, energjetik që Prishtina mund ta ketë”, ka thënë Osmani.

“Projekti i solarëve është projekt që do t’i sigurojë Prishtinës 50 megavat të ri termik për ngrohje. Është projekt unik dhe i veçantë, i vetmi në rajon, i dyti në Evropë pas atij të Danimarkës. Përveç që është i rëndësishëm i jep Prishtinës ngjyrën e gjelbër…”, tha ai, duke shtuar se “Prishtina po vendoset në hartën e qyteteve ose Kosova të shteteve të cilat po prodhojnë energji termike prej solarëve të cilat nuk janë realisht shumë”.

Siç bëri të ditur Osmani, ky projekt parashihet të mbulojë diku 12 mijë konsumatorë të rinj, gjegjësisht dy lagje në Prishtinë.

“…Planifikohet pjesa e Arbërisë, të cilat janë jashtë projektit aktual dhe pjesa e Tophanes, poshtë në qytet. Këto dy lagje të mëdha planifikohet të mbulohen përmes këtij projekti. Ky projekt është bashkëfinancim, një pjesë grant, një pjesë kredi”, tha Osmani.

Ky projekt planifikohet diku në vitin 2027-2028 të funksionalizohet dhe të hyjë në operim.

Go to TOP