Prodhuesit vendorë paralajmërojnë rrezik për sektorin: Kërkohet pezullimi urgjent i vendimit të ZRRE-së

Shoqata e Prodhueseve, që vepron në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) duke e konsideruar atë si një kërcënim serioz për qëndrueshmërinë e sektorit prodhues vendor.

Sipas reagimit të LBK-së, ky vendim, nëse vazhdon të zbatohet, do të sjellë pasoja të rënda për konkurrueshmërinë e produkteve vendore në tregjet evropiane duke vënë në rrezik mirëqenien e qytetarëve dhe mijëra vende pune në këtë sektor strategjik.

“Gjendja aktuale e prodhuesve është jashtëzakonisht e rëndë. Kërkojmë urgjentisht dialog të hapur dhe konstruktiv me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe ZRRE-në, për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe në funksion të zhvillimit ekonomik afatgjatë të vendit tonë”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Prodhueseve.

LBK thekson se në vend të politikave mbështetëse për prodhuesit vendorë, po përballen me vendime që i dëmtojnë rëndë ata. Si pasojë, importi po rritet çdo ditë duke zëvendësuar prodhimin vendas dhe duke dëmtuar balancën ekonomike të Kosovës.

“Apelojmë për reflektim të shpejtë dhe për vendime të mençura që mbështesin prodhimin vendor, rritjen ekonomike dhe mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë sonë”, përfundon reagimi i LBK-së. /Kosova.info/


Go to TOP