Procesi i kontestuar zgjedhor i Këshillit drejtues, reagon UP-ja

Menaxhmenti i Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka reaguar sot pas shqetësimeve të mëdha në opinion dhe interesimit të vazhdueshëm nga ana e medieve lidhur me procesin e zgjedhjes së pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues nga ana e Senatit.

Në reagim thuhet se procesi zgjedhor, në aspektin teknik, është zhvilluar sipas procedurave.

“Kontestimet fillestare janë ngritur në aspektin e të drejtës së senatorëve studentë, të cilët duhet të jenë pjesë e këtij votimi, përkatësisht nëse pjesë e këtij procesi duhet të jenë senatorët studentë të cilët kanë mandat deri më 30 shtator, apo senatorët studentë të cilët e kanë shumicën në Parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet studentore të organizuara këtë muaj. Bazuar në interpretimin e U.D. Sekretarit, person përgjegjës për interpretimin e rregullores së Këshillit Drejtues për zgjedhjet studentore, në proces të votimit duhet të marrin pjesë studentët e deleguar nga Parlamenti i ri Studentor”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se ekziston bindje e thellë në opinion dhe në mesin e njohësve të proceseve të tilla, që legaliteti i senatorëve studentë pjesëmarrës në votim është i kontestueshëm.

“Menaxhmenti i UP-së, ka kërkuar para mbajtjes së zgjedhjeve, një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Drejtues për funksionalizimin e komisionit statutar me qëllim të interpretimit meritor të situatës së krijuar.

Menaxhmenti i UP-së po ashtu, një ditë para organizimit të zgjedhjeve, ka ftuar një takim të jashtëzakonshëm të Senatit për ta diskutuar këtë çështje, edhe pse Senati nuk është instancë kompetente për dhënien e një interpretimi përkatës.

Në pamundësi të takimit të Këshillit Drejtues, rrjedhimisht në mungesë të interpretimit nga ana e komisionit statutar, zgjedhjet për anëtar të rinj të Këshillit Drejtues janë organizuar bazuar në interpretimin e U.D. Sekretarit”, thuhet më tej.

Nga procesi zgjedhor ka rezultuar një përbërje e KD-së e cila ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik lidhur me integritetin dhe kredencialet akademike të një pjesë të kandidatëve të zgjedhur, por po ashtu edhe për faktin e një përfaqësim jo adekuat gjinor.

“Menaxhmenti i UP-së siguron opinionin publik se në raport me të drejtën e votimit të senatorëve studentë është tërësisht neutral dhe do të bashkëpunojë me të gjitha palët dhe autoritetet kompetente për adresimin e kësaj situate”. 

Go to TOP