Pretendime se u dhanë bursa studentëve serbë që s`e njohin Kosovën shtet

Opozitarët e Fushë Kosovës pretendojnë se komuna u ka dhënë bursa studentëve serbë në vitet 2021-2023 me dokumente që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Për t’i vërtetuar pretendimet e opozitës, RTK ka biseduar me kryetarin Burim Berisha, i cili ka thënë se opozita e akuzon për gjithçka.

Një dokument i ka mjaftuar komunës së Fushë Kosovës për t’i dhënë 15 studentëve të nacionalitetit serb bursa për shkollim.

Në dokument me shkronja cirilike të një fakulteti paralel në komunën e Mitrovicës së Veriut, e ku nuk figuron shteti i Kosovës, komuna ka mbështetur studimet për të tretin vit me radhë.

Opozitarët pretendojnë se kryetari i Fushë-Kosovës ka qenë ai që ka lejuar që nëpërmjet dokumenteve të tilla të jepen bursa për shkollim gjatë viteve 2021-2023.

Hasan Ismajli, asamblist i AAK-së në Fushë Kosovës, tha se është skandal që qytetarë serbë të Kosovës të nacionalitetit serbë kanë përfituar nga komuna jonë subvencion për të vazhduar studimet në institucionin paralel që është në veri.

Edhe Vlonjat Hasani, asamblist i Vetëvendosjes në Fushë Kosovës, tha se është shkelje e ligjit të Republikës së Kosovës dhe është skandal i llojit të vet.

Por, kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha thotë se opozita, si gjithmonë, e akuzon për gjithçka, madje edhe për transparencë. “Nuk më brengos fare kjo çështje”, tha ai për RTK.

Por, në thirrjen publike për ndihmë momentale në Drejtorinë e Arsimit në Fushë Kosovë për vitin 2024, ku përfshihen bursa për bachelor dhe master, ka kërkuar nga aplikuesit që në dokumentacionin e tyre të dëshmojnë se janë banorë të Komunës së Fushë-Kosovës, për së paku tri vjet e fundit si dhe të kenë vërtetimet e universiteteve kur studiojnë dhe certifikatën e notave.

Agjencia për Informim dhe Privatësi para disa ditësh i ka shqiptuar gjobë Komunës në vlerë prej 4 mijë eurosh për kufizim të qasjes në dokumente publike ndaj kërkesave për transparencë nga asamblistët e kësaj komune.

Go to TOP