Shtohet numri i viktimave në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka vendosur ta rrisë numrin e viktimave që do të dëshmojnë para gjykatës në rastin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë vendim e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, në konferencën javore.

“Në vendimin e janarit, gjykatësit dolën në përfundimin se për tetë prej parashtruesve nuk kishte qenë praktikisht e mundur t’i dorëzonin kërkesat para afatit dhe se ishte në interes të drejtësisë të shqyrtoheshin. Trupi Gjykues u bind se nëntë parashtruesit ishin viktima të krimeve që pretendohet se u kryen në vendet e përmendura në aktakuzë gjatë periudhës kohore përkatëse”, ka thënë Doyle.

Tutje, ka treguar ai, se trupi gjykues i kryesuar prej Charles Smith ka vendosur që t’iu japë qasje të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre në aktgjykimin e plotë e të paredaktuar për Salih Mustafën.

Për këtë vendim, Doyle tha gjykata e mori, meqë konsideroi se rasti më i madh i Speciales dhe rasti i Mustafës kanë lidhshmëri.

“Më 1 maj, trupi gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë që të gjitha palët në çështjen Thaçi dhe të tjerët të kenë qasje në versionet konfidenciale të aktgjykimit dhe atij të Apelit në çështjen gjyqësore Salih Mustafa. Duke marrë parasysh se këto dy çështje përkojnë në masë të konsiderueshme, trupi gjykues konstatoi se ekziston qëllim juridik legjitim për të kërkuar qasje në këto aktgjykime”, ka thënë ai.

“Bazuar në kërkesën e Prokurorisë dhe pas konsultimit me trupin gjykues dhe Panelin e Apelit në çështjen gjyqësore Mustafa, trupi gjykues konstatoi gjithashtu se miratimi i kërkesës nuk do të cenojë masat mbrojtëse në fuqi, si dhe nuk do të përbëjë rrezik për viktimat dhe dëshmitarët”, tha Doyle.

Go to TOP