Presidentes i hasi keq sharra në gozhdën e Kushtetueses
Shkruan: Florim ZEQA
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e vendimit të Presidentes, shoqëria kosovare, politikanët, njohësit dhe hartuesit e Kushtetutës janë ndarë në dy taborre! Disa e thonë se Presidentja e ka shkelur Kushtetutën, kurse dikush tjetër e thotë se ka pasur të drejtë në vendimin e saj! Vetë fakti i pezullimit të “dekretit” të Presidentes u jep të drejtë të parëve dhe e dëshmon ngutinë dhe gabimin e qëllimshëm të Vjosa Osmanit.
Grupet e interesit të ‘kryqëzojnë’ akoma pa e përfunduar fjalën!
Të gjitha partitë, pa dallim fuqie elektorale, janë duke i bërë kalkulimet e tyre të fundit për ta “pushtuar” kalanë presidenciale! Këtë mundësi ua ka dhënë vakumi kushtetues, i cili ka lënë hapësirë për kalkulime dhe pazare politike për zgjedhjen e presidentit në Kuvend!
Aq të fuqishme dhe të rrezikshme janë grupet e interesit brenda partive tona politike, saqë po ua prish rehatinë e përfitimit nga të fortët e politikës, të ‘kryqëzojnë’ akoma pa e përfunduar mirë fjalën!
Kosova ka nevojë për unifikim të qëndrimeve dhe vendimeve të institucioneve të larta shtetërore e jo për dualizëm të veprimeve, siç kishte ndodhur deri më tani, kur dy krerët më të lartë shtetërorë mbanin qëndrime kontraverse karshi raporteve me aleatët tanë strategjikë.
Presidenti i ardhshëm i shtetit të Kosovës duhet të jetë person unifikues i spektrit politik dhe person që e ruan stabilitetin institucional të shtetit!
Për shkak se, si pasojë e disbalancit institucional, gjegjësisht si pasojë e moskoordinimit të Presidentes me Kryeministrin dhe anasjelltas, Kosova për herë të parë u fut nën sanksione ekonomike ndërkombëtare!
Për shkaqet e hendekut të thellë mes Kryeministrit dhe Presidentes nuk e preferoj të flas në mënyrë hipotetike, pasi dy akterët e lartë të politikës kosovare e kanë për obligim që të sqarojnë për opinionin publik arsyet e thyerjes së madhe politike, në mënyrë që të parandalohen spekulimet mediatike, aq shumë të përhapura në vendin tonë!
Lideri shtetëror duhet të jetë me këmbë në tokë e jo me ‘kokë në qiell’
Nga momenti i katapultimit në postin e presidentit, Vjosa Osmanit i hyri vetja në huj! Mendonte se e gjithë bota sillej rreth saj! I harroi të gjithë ata (elektoratin dhe militantët) që e ndihmuan të ngrihej në majat e shtetit!
Madje shumë shpejt e injoroi edhe njeriun që ia mundësoi ngritjen në postin e presidentes!
Në kohën kur kryeministri i shtetit u anashkalua nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, presidentja Osmani sorollatej gjithandej botës ndaras nga Albin Kurti, duke e krijuar te bashkësia ndërkombëtare përshtypjen e dy figurave kontraverse, e dy kokave të një shteti të vogël dhe të pakonsoliduar në Ballkanin Perëndimor, me 1001 probleme të pazgjidhura ndër vite e dekada, shkaku i disbalancit institucional, ku njëri lider e drejtonte karrocën e shtetit majtas, e tjetri djathtas!
Kësaj radhe Presidentes i hasi keq sharra në gozhdën e Kushtetueses! Për ngutinë dhe gabimin e pafalshëm, duhet ta marrë ndëshkimin e merituar nga Gjykata Kushtetuese, për shkak se Vjosa Osmani ka shkaktuar ndarje të thella politike dhe polarizim të skajshëm të shoqërisë kosovare!
